24.5 C
Tetovo
E enjte, 17 Korrik, 2025
BallinaLajmeMaqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të ndërtojnë së bashku një tunel...

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të ndërtojnë së bashku një tunel në Deve Bair

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë një hap më afër realizimit të projektit të përbashkët për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar midis Gjueshevos dhe Deve Bair, si pjesë e përfundimit të segmentit lindor të Korridorit 8. Në një takim në Bruksel, të dyja palët ranë dakord të finalizojnë tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare deri në fund të korrikut, i cili do të përcaktojë aspektet teknike, financiare dhe operacionale të projektit.

Në takimin e organizuar nga Komisioni Evropian, morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të transportit të të dy vendeve, përfshirë sekretarin shtetëror të Ministrisë së Transportit të RMV, Stefan Volkanovski dhe drejtorin e NP Infrastrukturës Hekurudhore, Sinisha Ivanovski, si dhe zëvendësministrin e Transportit të Bullgarisë, Ljuben Nanov. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Komuniteti i Transportit.

Marrëveshja, nënshkrimi i së cilës pritet këtë vjeshtë, do të mundësojë fillimin e punimeve të ndërtimit në tunel në gjysmën e parë të vitit 2026. Tuneli do të ndërtohet sipas projektit teknik ekzistues të përgatitur nga pala maqedonase dhe të dy vendet do të formojnë grupe pune për zbatimin e tij.Maqedonia e Veriut u zotua që deri në fund të vitit 2025 të rishpall tenderin për seksionin e Kriva Palankës – hyrja në tunel, ndërsa Bullgaria prezantoi aktivitetet e saj në territorin e saj.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të aplikuar së bashku për mbështetje financiare nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e fondeve për zbatimin e këtij projekti strategjik.

Kujtojmë se, muajt e fundit, të dy vendet kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për bllokimin e projektit për ndërtimin e linjës hekurudhore në Korridorin 8. Ministri Transportit, Aleksandar Nikolloski, akuzoi Bullgarinë në prill “se nuk dëshiron ta ndërtojë linjën”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit bullgar Grozdan Karadzov u përgjigj se Bullgaria tashmë po punon në linjën në të cilën, deri në vitin 2032, trenat do të operojnë me 160 kilometra në orë, ndërsa asgjë nuk po bëhet në anën tjetër.

Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments