I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nga Shkupi ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është në rrugë të vërtetë për të realizuar qëllimin e saj strategjik, por në periudhën e ardhshme, duhet të fokusohet në obligimet që dalin nga korniza negociuese, në sundimin e së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, për të mbajtur dinamikën e progresit drejt BE-së.
“RMV-ja ka mbështetjen e fuqishme dhe parimore nga partnerët evropian, por shumë e rëndësishme është të ketë konsensus dhe proaktivitet nga të gjitha partitë politike për procesin eurointegrues”, tha Sarrazin, i dërguar Gjerman për Ballkanin.
I dërguari gjerman për Ballkanin, ka takuar partitë politike të vendit për të diskutuar rreth zhvillimeve në procesin e integrimit të vendit në BE.
Deputeti i OBRM-PDUM-së, Antonio Milloshoski, pas takimit, ka theksuar se deputetët e opozitës nuk kanë ndryshuar qëndrimin.
OBRM-PDUM i ka thënë Sarrazin, se sipas një hulumtimi, 85% e maqedonasve janë kundër kërkesës së imponuar për ndryshimin e Kushtetutës.
I dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, largohet nga vendi pa dhënë deklaratë për mediat, por sipas njoftimeve të shumicës qeveritare, ai u ka thënë deputetëve të OBRM-PDUKM-së, që deri në shtator, t`i votojnë ndryshimet kushtetuese.