Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov thekson që Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për punësimet në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare, ndërkaq 33 artistëve të cilëve u kanë skaduar kontratat e punës, së shpejti do të rikthehen në punë.
“Unë dorëzova kërkesë deri te Ministria e Financave, kemi mendim pozitiv, por në këtë moment, pasi tërë institucioni është në pushim kolektiv dhe ne nuk mund të arrijmë te drejtori. Kërkova nga Ministria e Kulturës që menjëherë ta kthejnë mbrapa, ta tërheqin drejtorin nga pushimi. Të vijë, do të bëjmë revizion të punës së tij. Do të shohim se çfarë ka ndodhur dhe në afat sa më të shkurtër do të shpallim konkurs për punësim të serishëm të atyre 33-34 të punësuar dhe në afat sa më të shkurtër do të kthehen në punë”, deklaroi Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turzmit.
Ministri thekson se nuk i ka marrë informatat në lidhje me skadimin e kontratave të artistëve të Ansamblit.
“Çështja nuk ishte vetëm për këta 34, çështja është zgjidhja e statusit të artistëve te diku rreth 160, të cilëve u ka skaduar mandati diku në muajin gusht. Por, unë nuk e kam marrë informatën se këtyre 34 u ka skaduar një muaj më parë. Pra, nëse do të isha informuar, do të mundeshim me zgjidhje ligjore t’i parashohim edhe ata. Që do të thotë se unë që nga momenti i parë si ministër, dorëzova ndryshim të ligjit që të zgjidhet ky problem, ai ligj ende është në procedurë kuvendore, por nuk i ka përfshirë këta 34, pasi ishin pak më herët”, tha Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turzmit.
Ndryshe, tanimë dy muaj 33 artistë kanë ngelur në rrugë për shkak të mos vazhdimit të kontratave të punës. Artistët, nëpërmjet një konference për shtyp akuzuan drejtorin për mobing dhe keqtrajtim në punë, të cilat Tolaj i hodhi poshtë. Reagime pati edhe nga punëtorë tjerë kulture, të cilat kanë akuzuar drejtorin se po e trajton institucionin si pronë private. Për akuzat e publikuara në opinion, Ministria e Kulturës ka dërguar ekip për të inspektuar të njëjtat për çka, do të duhet të hartojë raport mbi punën e drejtorit Tolaj. /Alsat.mk