Mes maleve të larta që duket sikur prekin qiellin dhe gjelbërimit të jashtëzakonshëm rrjedh lumi Shkumbin, një perlë natyrore që gjeografikisht cilësohet si shënjuesi i kufirit mes veriut dhe jugut të Shqipërisë.Natyra e egër, e padëmtuar nga faktori njeri, po tërheq çdo vit e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, kryesisht të apasionuarit pas turizmit të aventurës. Rafting në ujërat e Lumit Shkumbin nuk është vetëm një sport, por një udhëtim drejt zemrës së Shqipërisë, ku valët e kësaj rrjedhe të ftojnë të ndjesh të bukurën, të bëhesh një me natyrën.Këtë fundjavë, 42 turistë spanjollë po shijojnë natyrën shqiptare, duke mos hezituar të ndajnë me ne përvojën unike të rafting në rrjedhën e Shkumbinit.
“Viijmë për herë të parë në Shqipëri, jemi duke shijuar gjithçka, nga ushqimet e shijshme tradicionale, bukuritë e egra të natyrës, deri tek emocionet e forta që ofron çdo kthesë e këtij lumi”, tha njëri prej turistëve.
“Vizituam së pari Tiranën, mandej erdhëm këtu, ku gjetëm këtë natyrë fantastike. Njerëzit këtu janë shumë të bukur, por mbi të gjitha shumë mikpritës. Kemi provuar disa gatime tradicionale shqiptare, një kuzhinë mesdhetare vërtet e pasur, çdo gjë fantastike. Tani bëmë rafting në Shkumbin, përjetuam një adrenalinë të jashtëzakonshme. Ky vend është i mrekullueshëm.”, tha për News24 një tjetër.
Kjo është një jehonë e Lumit Shkumbin, që thërret turistë nga e gjithë bota të vijnë për të njohur historinë e këtij vendi, të shijojnë valët e tij dhe të marrin me vete kujtime të paharrueshme