Ka filluar pagesa e mbështetjes financiare për pensionistët, të cilët gjatë muajve të ardhshëm do t’i marrin mjetet shtesë të dedikuara nëpërmjet masave antikrizë, njoftojnë nga LSDM-ja.
Pensionistët në kategorinë e parë do të marrin mbështetje për 5 muaj në vlerë totale prej 15,000 denarë, ato në kategorinë e dytë 10 mijë denarë dhe kategoria e tretë do të marrë ndihmë financiare prej 7,500 denarë.
“Fillon pagesa e mbështetjes financiare për pensionistët me pakon e re të masave antikrizë, me vlerë prej 662 milionë eurosh. Mbi 187,000 pensionistë me pensione më të ulëta mund t’i presin paratë në llogaritë e tyre, drejtpërdrejt pa aplikuar. Pensioni mesatar sot është 20,100 denarë, që është 6,400 denarë më shumë se në vitin 2016, kur DPMNE-ja ishte në pushtet.”, – deklaroi Lidija Tasevska nga LSDM-ja.
VMRO-DPMNE: Qytetarët jetojnë në varfëri
Kanë reaguar nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, e cila akuzon pushtetin se pas çdo mase të prezantuar, qytetarët jetojnë në varfëri më të madhe.
“Realiteti është se pas çdo pako masash të promovuara nga Qeveria, njerëzit po jetojnë më të varfër. Qeveria po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të zvogëlojë humbjen zgjedhore që i pret. Për këtë qëllim, Qeveria shpërndan thërrime qytetarëve në prag të zgjedhjeve dhe pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzon për tenderë dhe blerje kriminale.”, thuhet mes tjerash në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.