– Partia opozitare maqedonase LSDM sot tha se ka ngritur padi penale kundër Guvernatorit të Bankës Popullore të vendit Trajko Slaveski, duke e akuzuar atë për dëme ndaj buxheti të bankës dhe rendit juridik.
“Sot po ngremë një padi të re penale kundër Trajko Slaveski, Guvernatorit të Bankës Popullore, për dyshim të arsyeshëm për kryerjen e një krimi – kryerje e pakujdesshme e detyrës, sipas nenit 353 c të Kodit Penal. Ekziston dyshim i arsyeshëm se Guvernatori Trajko Slaveski, përmes kryerjes së pakujdesshme të detyrës, i ka shkaktuar dëme Buxhetit dhe rendit juridik”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Aleksandar Sasha Dimitrijeviç për gazetarët.
Sipas LSDM , krey i bankës popullore, Slaveski, i ka shkelur “rëndë” detyrimet ligjore dhe ka vënë në “pikëpyetje” ligjshmërinë e operacioneve të Bankës Kombëtare, duke shkaktuar “dëme në institucion dhe në rendin juridik.”
“Së pari, është shkelur afati ligjor për propozimin e zëvendësguvernatorëve, gjë që kërcënon drejtpërdrejt funksionimin ligjor të Bankës Kombëtare. Së dyti, ka indikacione serioze se pas skadimit të mandateve të tyre, individëve u janë paguar paga për funksione që nuk u lejohej më t’i kryenin. Së treti, këta individë vazhduan të merrnin vendime në Këshillin e Bankës Kombëtare edhe pas skadimit të afateve, gjë që i bën ato vendime ligjërisht të diskutueshme dhe të pavlefshme”, tha Dimitrijevic i LSDM-së.
Ai e ftoi prokurorinë që të fillojë hetimin e të gjitha akuzave të kërkuara nga partia opozitare.
“Ne kërkojmë që Prokuroria të veprojë, të hetojë të gjitha akuzat, të ofrojë prova dhe të fillojë procedurat. Të shohim nëse prokuroria do të veprojë sipas ligjit apo sipas urdhrave të Mickoskit? LSDM nuk do të heshtë. Ky është vetëm fillimi. Askush nuk do të na ndalë. Lufta vazhdon. Dhe të gjithë ata që kanë kryer krime para ligjit do të mbahen përgjegjës, nëse jo sot, atëherë kur gjyqësori të jetë i lirë”, tha Dimitrijeviç.
