LSDM kundërshton idenë për takim liderësh. Kreu i socialdemokratëve Venko Filipçe tha se nuk do të bëhen pjesë e skenarit që sjell alibi për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai tha se Qeveria teknike patjetër të mbetet, pasi që pushteti i VMRO-së dhe të tjerëve, sipas tij, uzurpuan gjithçka, sikurse gjyqësorin ashtu edhe prokurorinë.
“Takim me kriminelët nuk do të ketë! Nuk mbajmë takim për qeverinë teknike! Mickoski është zënë ngushtë, i ngutet dhe kërkon alibi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo që ndodh është skenar i menduar që vjet, të cilin unë dhe LSDM e zbuluam dhe e flasim hapur tani e dy muaj. Zgjedhje të parakohshme dhe pranim të emigrantëve për para. Nuk ka para në buxhet, pushteti nxiton për të marr emigrantë, për të marr kredi 6 miliard euro dhe nga 20 mijë funte për çdo emigrant të pranuar, siç publikuan mediat britanike”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Takimi i liderëve akoma nuk është thirrur, por vetëm se është paralajmëruar të mbahet në javën e ardhshme. Kryeministri Mickoski tha se është e domosdoshme të diskutohet me liderët e gjitha partive parlamentare për temat si: Shfuqizimi i Qeverisë Teknike, Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji i Prokurorëve publik, ndryshimi i Kodit zgjedhor, konsensusi për Avokatin e Popullit, aspirata në BE, etj.
“Atëherë neve nuk na nevojitet takimi i liderëve, ne me 61 vota në Kuvend mund ta ndryshojmë Ligjin për Qeverinë dhe ta fshijmë qeverinë teknike. Nuk na duhet mendimi i opozitës, por deshëm që procesi të jetë gjithëpërfshirës edhe pse kemi shumicë të madhe të kryetarëve të komunave 90% e tyre vijnë nga koalicioni qeverisës. E kemi pothuajse shumicën prej 2/3-ave në Kuvend, kështu që nëse do donim të silleshim si të papjekur, siç po sillen ata dhe pa përgjegjësi, atëherë mund ta bëni pa takim liderësh”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Partneri qeverisës, VLEN shprehet i gatshme për takimin e liderëve.
“E përshëndesim iniciativën e kryeministrit për një takim të liderëve. VLEN është gjithmonë i hapur për çdo takim që ka për qëllim funksionimin e institucioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve. Çdo ftesë apo iniciativë e tillë që do të arrijë në adresën tonë do të shqyrtohet me përgjegjësi dhe opinioni do të njoftohet me kohë”, thonë nga VLEN.
Takimi, sipas Mickoskit, pritet të mbahet para nisjes së tij për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kryeministri pret që të gjithë liderët ta pranojnë ftesën, dhe agjenda mund të zgjerohet me propozime nga partitë e tjera. E nga BDI thonë se pas marrjes së ftesës do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen.
“Ftesa akoma nuk është dërguar dhe e njëjta vetëm është e paralajmëruar. Kur të arrin ftesa, do ta shqyrtojmë dhe do të kemi qëndrim rreth pjesëmarrjes tonë”, thonë nga BDI.
Ligji përcakton që një qeveri kalimtare të formohet 100 ditë para zgjedhjeve, në të cilën kryeministri është nga qeveria aktuale, dhe pesë ministri ndahen midis pushtetit dhe opozitës: Ministria e punëve të brendshme, politika sociale, financat, shoqëria e informacionit dhe administrata, dhe bujqësia. Çështja e Qeverisë Teknike u ngrit disa herë. E fundit u formua më 28.01.2024, para zgjedhjeve të 8 majit, me Kryeministrin Talat Xhaferi nga BDI. Më parë, pati qeveri teknike më 2016 dhe 2020.
