Nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska, njoftoi se partia do të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese për prishjen e rendit ligjor, pasi shumica qeverisëse në Parlament dje miratoi “Rezolutën që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm” të paraqitur nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.
LSDM e vlerësoi Rezolutën si jokushtetuese, duke shtuar se ajo përfaqëson hyrje në autokraci, diktaturë dhe regjim.
“LSDM nuk do ta lejojë këtë dhe do ta kundërshtojë fuqishëm, së bashku me qytetarët. Rezoluta tradhtare është në kundërshtim me Kushtetutën në fushën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të qytetarit – liria e shprehjes, e cila është e paprekshme. Dhe kjo e bën atë jokushtetuese. DPMNE dhe ZNAM miratuan një Rezolutë jokushtetuese që kërcënon drejtpërdrejt lirinë e fjalës dhe lirinë e veprimit politik të opozitës. Qëllimi i qeverisë është të heshtë opozitën dhe të ndalojë çdo debat mbi marrëveshjen – emigrantë për para, për të parandaluar që e vërteta të dalë në dritë. Ne nuk do të lejojmë shtypjen e demokracisë dhe lirisë së fjalës!”, tha Trençevska nga para Gjykatës Kushtetuese.
Nënkryetarja e LSDM-së njoftoi se partia do t’u drejtohet gjithashtu të gjitha institucioneve përkatëse ndërkombëtare, si dhe do të kërkojë ndihmë nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe nga partitë simotra në Evropë.
Ndërkohë, në një video-adresim nga Brukseli, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi se do të kërkojë ndihmë nga e gjithë Evropa, nga të gjitha forcat progresive dhe nga partitë simotra në lidhje me Rezolutën e miratuar të propozuar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE.
“Rezoluta e turpshme e miratuar nga DPMNE dhe ZNAM në Parlament është goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë, lirisë së fjalës, mendimit dhe veprimit politik. Kur parlamenti miraton një rezolutë jokushtetuese kundër opozitës, atëherë shteti pushon së qeni demokratik dhe hyn në autoritarizëm, në një regjim. Qeveria dëshiron të heshtë dhe të ndalojë punën e opozitës, të krijojë shtet njëpartiak dhe të shuajë lirinë e fjalës”, tha Filipçe.
Me 65 vota “pro” dhe pesë vota “kundër”, deputetët votuan për “Rezolutën që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm”, të paraqitur nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, theksoi se kjo Rezolutë i jep fund të gjitha spekulimeve në lidhje me migrantët.
