2.4 C
Tetovo
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeLotaria Shtetërore / Pranohet propozimi i Prokurorisë, masa sigurie ndaj Artan Ajrulit

Lotaria Shtetërore / Pranohet propozimi i Prokurorisë, masa sigurie ndaj Artan Ajrulit

Gjykata Penale e Shkupit për Alsat, konfirmoi se e ka pranuar propozimin e Prokurorisë për marrjen e pasaportës dhe detyrim paraqitjeje në gjykatë për Artan Ajrulin, pronarin e kompanisë Ritron Kopi nga Kumanova, i cili bashkë me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore i cili është në arrati, Përparim Bajrami dyshohen për kurdisje tenderësh gjatë furnizimit të televizorëve, printerëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikuese për nevojat e Lotarisë Shtetërore. Prokuroria, heton gjithsej gjashtë procedura për furnizime publike të këtyre pajisjeve, që sipas organit të akuzës nuk janë dorëzuar sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Lënda, u hap pas kallëzimit të dorëzuar nga Policia Financiare, për gjithsej 4 persona fizik dhe një personi juridik, gjegjësisht për kompaninë Ritron Kopi. Në kallëzim të Policisë Financiare janë edhe drejtorët për çështje komerciale dhe për teknologji informatike, megjithatë nga Prokuroria për Alsat, theksojnë momentalisht procedurë është nisur vetëm për Bajramin dhe Ajrulin, ndërkaq për dy të tjerët vazhdojnë hetimet.

Nga koalicioni VLEN, theksojnë se rasti i djeshëm, demaskoi rrjetin e krijuar nga Artan Grubi, Përparim Bajrami dhe Elmi Aziri, të cilin paraprakisht e kanë akuzuar se është familjar i afërt me pronarin e Ritron Kopi.

“Jo më larg se dje, u demaskua rrjeti i krijuar nga Artan Grubi i listës së zezë, Përparim Bajrami dhe Elmi Aziri, që ky i fundit mesa duket ka shërbyer si urë lidhëse mes klanit në fjalë dhe pronarit të kompanisë Ritron kopi, Artan Ajruli. Ky klan korruptiv ka shfrytëzuar pozitat publike për të favorizuar veten dhe për të grabitur buxhetin që u takon qytetarëve. Vetëm në një lëndë, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit, parasë publike, kap shifrën e tmerrshme prej 6.7 milionë denarësh”, deklaroi Fatmir Sabriu, Koalicioni VLEN.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se do të zgjerohet hetimi për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore pas ekzistojnë dyshime të bazuara.

“Po, në lidhje me personin juridik në fjalë, ekzistojnë më shumë indicie për kryerjen e krimeve, ekzistojnë shumë dyshime të bazuara dhe gjithashtu shumë dyshime të bazuara për vepra penale konkrete të cilat, e kanë dëmtuar buxhetin e kompanisë. Kështu që, do të ndjekë opinioni në të ardhmen, do të informojmë në mënyrë përkatëse në momentin kur do të mund t’i publikojmë informatat për opinionin”, tha Pançe Toshkovski, Ministri i Punëve të Brendshme.

Një javë pas futjes në Listën e Zezë të SHBA-së, Prokuroria hapi lëndë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore. Sipas organit të akuzës, Grubi nga pozita e ish zëvendëskryeministrit, bashkë me drejtorin Përparim Bajrami, janë dy të dyshuarit e parë për keqpërdorim të mbi 8,2 milionë eurove, pasi kanë blerë VLT aparate edhe pse s’kanë pasur të drejtë ligjore. Dëmi në Lotarinë Shtetërore, sipas përfaqësuesve qeveritar është shumë herë më i madh se 8 milionë euro.

Një ditë para se t’i bastisej shtëpia, Grubi është arratisur nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet Pikës Kufitare me Kosovën dhe ende nuk dihet se ku ndodhet. I pakapshëm për drejtësinë, mbetet edhe Bajrami. MPB, shpalli fletëarrest ndërkombëtar. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments