Gjatë verës në Kërçovë lokalet dhe shitësit uzurpojnë trotuaret. Me këtë vështirësohet edhe lëvizja e lirë e këmbësorëve, andaj të njëjtit janë të detyruar të ecin në rrugën ku kalojnë makinat.
Ky problem në këtë qytet është prezent prej vitesh.
Disa lokale në momentin kur vërejtën ekipin e Tv21 në teren, i tërhoqën tavolinat e vendosura në trotuar.
Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari tha se për shkak të pandemisë me Covid-19 ka hequr taksat për lokalet por siç tha, ata e keqpërdorin këtë dhe vendosin tavolina në torturuare. Ai bëri thirrje që pronarët të kenë kujdes me uzurpimin e hapësirave publike.
“Në vlerësuam që të mos tatimohen së paku këtë vit për të vazhduar më tej për të përcjellë situatën. Edhe hapësirat publike që shfrytëzohen nga lokalet qofshin ata ushqimore apo kafiteritë mos tatimohen. Ju bëj thirrje tani ta shfrytëzoj momentin që të kenë kujdes të mos e uzurpojnë në pa kufi pronën publike, pra jo në pakufi”, deklaroi kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
TV 21 kontaktoi Inspektoratin e tregut në Kërçovë, por të njëjtët refuzuan të përgjigjen në lidhje me uzurpimin e hapësirave publike. Ata thanë se nuk janë përgjegjës për atë dhe se e kanë të ndaluar të përgjigjen për gazetarët sepse sipas tyre këto informacione për uzurpimin e hapësirave nuk janë publike. Ata gishtin e drejtuan kah policia e vendit. Tv21 kontaktoi edhe SPB Ohër. Nga atje na thanë se jo çdo herë policia duhet t’i kryej edhe punët e inspektorëve, por në bashkëpunim duhet mbajtur rregull.
“Policia me vetiniciativë por edhe në bashkëpunim me inspektorët e tregut bëjnë kontrolle për uzurpimin e hapësirave publike. Në rast se nga policia vërehet uzurpim i hapësirës publike i njëjti do të bëjë denoncim adekuat për pjesën e uzurpuar”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Ohër.
Numrat prefiks të inspektoratit të tregut në Kërçovë dhe Gostivar janë jofunksional. Disa herë jemi munduar të kontaktojmë gjatë ditës por pa sukses.