Qeveria miratoi propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilin parashihet që lojërat e fatit – përfshirë kazino, klube aparati apo bastore që kanë aparate për bixhoz – të largohen 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. Koalicioni VLEN u lëvdua për këtë dhe ligje të tjera që u sollën, duke thënë se kjo Qeveri solli më shumë vendime me rëndësi dhe përfitim real për shqiptarët, sesa ka arritur të sjellë çfarëdo qeverie e drejtuar nga BDI gjatë një mandati të plotë.“Sa për krahasim, në qeverisjen paraprake, me një licencë, kompanitë kanë hapur pa fund, e tani kjo do të bëhet e pamundur. /ngjitje 3,57 / Nëse deri dje kishim kazino pranë shkollave, shtëpive, në jetët e fëmijëve tanë, sot po vendosim rregull, ligj dhe dinjitet. Deri dje, qeveria e kaluar ndërtonte perandori bixhozi mbi varfërinë dhe dëshpërimin e shqiptarëve, sot qeveria jonë po i rrënon këto perandori të krimit dhe po ndërton të ardhmen”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Parë.
U kundërpërgjigjën integristët, duke rikujtuar se VLEN-i premtoi mbylljen e kazinove, por sot, falë tyre, kazinotë janë më afër se kurrë, midis lagjeve, pranë shkollave, përballë xhamive dhe kudo.“Kur u propozua një ligj serioz, që do t’i mbyllte dhe dislokonte bastoret, ata ishin kundër. Kur VMRO hodhi “ashte” në formë postesh dhe privilegjesh, VLEN-i u përfshi i entuziazmuar. Sot ata duan të lavdërohen për një ligj që është më shumë se maskim. Një ligj që s’i prek dot as kazinotë e lagjeve, as bastoret në çdo cep, as bixhozin online që u rrit më shumë se kurrë. Një ligj që është shumë më i dobët se ai që vetë e rrëzuan më parë”, thonë nga BDI.
Përndryshe, ligji i ri për lojërat e fatit parashikon masa të forta për të reduktuar praninë e tyre. Kjo parashihet të arrihet përmes rritjes së taksave dhe vendosjes së rregullave më të rrepta. Synohet edhe përgjysmimi i numrit të aparateve slot, që të kufizohen në maksimum 3 mijë njësi në gjithë vendin.