Në një reagim publik, ish-ministri i drejtësisë, z. Krenar Lloga vlerësoi se paraqitja e dobët e Xhihan Ahmed në Kuvend duhet parë jo si dëshmi e paaftësisë, por si një moment i kalueshëm që nuk duhet të përcaktojë të ardhmen e saj profesionale, transmeton Zhurnal.mk.
“Xhihan Ahmed pati një ditë jo të mirë në prezantimin e saj në Kuvend. Me shumë gjasë, asaj i është thënë se e gjitha është një formalitet dhe se votat për zgjedhjen e saj janë të sigurta. Ky është pikërisht kurthi në të cilin do të kishin rënë mbi 90% e atyre që, veçse janë zgjedhur në pozicione të këtij niveli, pa kaluar asnjë intervistë të këtij lloji.
Sidoqoftë, fajtorët e vërtetë janë përfaqësuesit e VLEN-it, respektivisht ata që menaxhojnë çështjet kadrovike, të cilët nuk i përgatisin kandidatët e tyre për një intervistë të “rëndë” televizive dhe për paraqitje në sallën e Kuvendit. Jo të gjithë janë të familjarizuar me kamerat, por as me institucionin më të madh në vend.
Me dorëheqjen morale nga kandidimi, Xhihani meriton vetëm respekt, asgjë më shumë, asgjë më pak. Asnjë koment fyes apo tendencioz nuk duhet të shërbejë si demotivim për të çarë rrugën profesionale dhe karrierën e një gruaje të re, e në këtë rast, të një profesoresheje.
Unë nuk e njoh Xhihanin, por i them publikisht se, ashtu si ajo, të gjithë ne kemi pasur momente dobësie, luhatje apo edhe mosdije momentale. Kjo nuk duhet të jetë pengesë apo zmbrapsje; përkundrazi, duhet të jetë shtysë për t’u rikthyer më e fortë, aty ku e meriton çdo individ që synon të bëjë më të mirën për fëmijët e tij/saj dhe për mbarë shoqërinë.”, shkruan Lloga, transmeton Zhurnal.mk
