– Blinken: Baza ushtarake në Kuçovë pritet të hapet, e për atë Detare në Durrës jemi në diskutime
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, derisa ishte duke folur për bashkëpunimin me Shqipërinë që ndajnë në NATO.
Ai tha se Shqipëria muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ushtarake në Kuçovë që është në kuadër të NATO-s.
Kurse për Bazë Detare të NATO në Durrës ka theksuar se janë duke diskutuar.
“Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s para 15-vjetëve. Pritet muajin e ardhshëm të përurohet baza ushtarake në Kuçovë. Kurse për Bazën Detare të NATO-së në Durrës jemi duke diskutuar”, ka thënë Blinken. /Klankosova.tv
18:12 – Blinken: Shqipëria, shtet aleat i ShBA-së, e zgjati dorën për të ndihmuar edhe Ukrainën
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për mikpritjen që i ka bërë sot.
Ai, në konferencë për media gjatë vizitës në Tiranë, ka theksuar se Shqipëria vazhdon të jetë një 10 shtetet që kontribuon më së shumti për të ndihmuar Ukrainën.
“Si aleat kyç i NATO-së, ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shqipërinë, ne kemi folur për disa gjëra shumë të rëndësishme për punën tonë sa bashku për Ukrainën nga sulmet e Rusisë”.
“Shqipëria që nga dita e parë ka qenë një shtet mbështetës për Ukrainën, ka ngritur dorën për ta ndihmuar, ka qenë një nga vendet e para që ka dërguar ndihma ushtarake në Ukrainë, është njëra nga dhjetë shtetet kontribuese për Ukrainën që nga fillimi”, ka thënë Blinken. /Klankosova.tv
18:04 – Rama: Nevoja për investime amerikane në Shqipëri është e padiskutueshme
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur rreth rëndësisë së investimeve të kompanive amerikane.
Rama tha se kjo nevojë është e padiskutueshme.
Kështu ai deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
“Për ne është e padiskutueshme nevoja dhe rëndësia e investimeve amerikane në Shqipëri, si dëshmi jo vetëm e kësaj marrëdhënie por edhe të vetëdijes për potencialin e madh që Shqipëria ka në sektori shumë kritik për botën e sotme, në këtë rast për rajonin tonë sot si sektori i energjisë”, tha Rama.
“Administrata amerikane është e angazhuar për të përballuar ndryshimeve klimaterike, dhe është shumë e angazhuar për të mbështetur të gjitha projektet e energjisë së gjelbër. Dhe kompanitë amerikane janë partnere të pranueshme”, theksoi ai.
I pari i qeverisë shqiptare theksoi se turistët amerikanë ia vlen ta vizitojnë Shqipërinë.
“Dhe, Shqipëria është një vend ku sekretari mund ta dëshmoj vetë, megjithëse për pak kohë për turistët amerikanë se ia vlenë të vizitohet. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, apo nga vendet e tjera, në një vend shumë të vogël pa bërë shumë orë rrugë, mund të gjejnë gjithçka nga bukuritë e natyrës që nga plazhet deri në majat e maleve të mbuluar me borë”, tha i pari i qeverisë shqiptare.
______________________________________________________________________________________________________
18:00 – Rama me Blinken: Apelojmë autoritetet në Kosovë të mos bëjnë asnjë hap pa koordinim me aleatët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka folur një pjesë të konsiderueshme për Kosovën.
Ai ka bërë thirrje bashkë me Blinken për institucionet e Kosovës që të mos ndërmarrin hapa të pakoordinuar, njofton KlanKosova.tv.
“Apeli im, apeli ynë, për autoritetet e Prishtinës është që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar dhe të pakoordinuar me aleatët strategjikë sepse në radhë të parë është në interesin e tyre dhe në interesin e aleancës tonë”, ka thënë Rama.
“Nga veprimet e pakoordinuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme. Por kështu nuk fitohet e ardhmja”.
Rama ka thënë se kërkesat e ndërkombëtarëve në dialog nuk janë shtrënguese dhe se asaj nuk i kërkohet që ta lëshojnë asnjë milimetër toke.
“Ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të nj tragjedie jo shumë të largët për ata që jetojnë në Kosovë. Jemi të vetëdijshëm edhe për faktin që në momente të caktuara si rasti i Banjskës, Serbia nuk është se ndihmon si duhet procesin”.
“Në radhë të partë shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë në duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, të Kosovës, që të përparojë unilateralisht”.
17:51- Rama para Blinkenit: Shqiptarët e Kosovës të mos harrojnë që pa ShBA-në s’do kishin shtet të pavarur
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se është mirë që shqiptarët kudo që janë, e sidomos ata të Kosovës të mos harrojnë se pa ShBA-të nuk do të kishte shtet të pavarur të Kosovës.
Rama tha se ShBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia.
“ShBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo që janë, duke filluar nga shqiptarët në Kosovë që të mos e harrojnë se pa ShBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.
Tutje, kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria e ka nxitur, e nxit dhe do të vazhdojë ta nxisë dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.
17:42 – Nënshkruhen dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe ShBA-së
Janë nënshkruar dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ato u nënshkruan nga sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
Marrëveshjet janë: Programi për zhvillimin e bursës Fullbright dhe gjithashtu edhe memorandumi i mirëkuptimit për luftimin kundër manipulimit të informacionit, në shtetet e huaja.
I pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
15:59 – Blinken nis takimin me Ramën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në ambientet e Qeverisë së Shqipërisë ku do të zhvillojë takimin me kryeministrin Rama, një takim i parashikuar në axhendën e vizitës së tij në Tiranë.
Ndërkohë eskorta e Blinken mbërriti në Kryeministri në orën 15:47, pasi Sekretari Blinken kishte shkuar më herët në ambientet e Piramidës ku mbajtën një fjalë së bashku me Kryeministrin Rama.
Blinken mbërriti në Shqipëri në orën 11:11. Kjo është vizita e tij e parë në Tiranë dhe e gjashta në radhë e Sekretarëve amerikanë të Shtetit./tvklan.al/
Blinken në Tiranë: Amerikanë të rinj, por jo dhe shumë të rinj, po kërcejnë me Dua Lipën
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mori pjesë në një takim me të rinj në ambientet e Piramidës gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Blinkeni në fjalën hyrëse shprehu falënderimet për mikpritjen e ngrohtë në Shqipëri dhe vlerësoi qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama për bashkëpunimin e treguar gjatë këtyre 4-viteve.
“Mirëdita dhe ju falënderoj për një mikpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave. E ndiej ambientin e ngrohtë jashtë, por e ndiej të ngrohtë dhe ambientin në këtë dhomë dhe dhomat e tjera ku isha”.
“Falënderoj zotin Davi Wisner që po udhëheq ambasadën tonë në Shqipëri dhe sidomos zotin kryeministër. Tirana është një qytet që ju si ish-kryetar bashkie e keni energjizuar dhe i keni dhënë ngjyra. Zoti kryeministër është jo vetëm një udhëheqës i shquar, por gjatë këtyre 4 viteve që kemi punuar së bashku kemi kaluar vështirësitë së bashku”, tha Blinken.
Ai vlerësoi kontributin e Shqipërisë në pritjen e afganëve, si dhe bashkëpunimin e treguar mes dy vendeve.
Blinkeni u ndal dhe te rikonstrusioni i Piramidës, për të cilën tha se nga një simbol i diktatorit Enver Hoxha, është kthyer në një ambient energjik për të rinjtë, simbol i të ardhmes.
“Kjo ndërtesë tregon rrugën e Shqipërisë që nga fundit i Luftës së Ftohtë, ndërtimi përfundoi 35 vite më parë dhe iu kushtua një diktatori që i çoi shqiptarët në kampet e internimit. Por sot ky vend është i mbushur me energji, me kafene, me salla inkubatore teknike dhe është një simbol i gjallë i të ardhmes dhe i tanishmes”, tha Blinken.
Gjithashtu ai u ndal dhe te suksesi i shqiptarëve në botë, duke përmendur Dua Lipën dhe Mira Muratin.
“Vitin e kaluar një numër rekord turistësh vizituan Shqipërinë, ekipi i juaj u kualifikua për në kampionatin evropian për herë të dytë në histori. Ju po shikoni dhe lidhjet e fuqishme mes dy vendeve tona. Amerikanë të rinj, por jo dhe shumë të rinj po kërcejnë me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në Open AI është shqiptare, në New York një nga restorantet më të mirë është shqiptar. Këto nuk janë rastësi, por janë shenja që tregojnë se kapërcimin e Shqipërisë në botën e re”, tha ai.
15:34 – Rama pret Blinkenin te Piramida: Sot diktatori që e ndërtoi po rrotullohet në varr
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur fjalën e tij të mbajtur në Piramidën e Tiranës me fjalët “Diktatori do të rrotullohej në varr”.
Ai tha se Enver Hoxha donte që Shqipëria t’i urrente amerikanët, por ai e di se Amerika është mik i Shqipërisë.
Ai ka falënderuar sekretarin e shtetit të ShBA-së Antony Blinken për këtë vizitë, duke thënë se ky takim hap horizontet e të rinjve shqiptarë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, 15 shkurt, 2024. Foto: AP
“Diktatori për të cilin kjo piramidë u ndërtua sot po rrotullohet në varr. Ai na rriti me urrejtje për ju. Por ne sot ju mirëpresim dhe urojmë një marrëdhënie të gjatë. Ky tempull sot, zgjeron horizontet e të rinjve sot. Shumë pronarë të kësaj piramide do donin të ishin sot këtu, por protokolli i SHBA nuk i lejon. Unë e di që ju nuk keni qëllime të këqija. Në emër të gjithë shqiptarëve unë ju uroj mirëseardhjen. Çelësa te shtëpisë sonë janë në duar të sigurta. Siç e kemi thënë gjithnjë, shtëpia, Shqipëria, i takon zotit dhe mikut. Ju falënderoj me gjithë zemër që jeni këtu sot. Ju falenderoj që sollët shpresë për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Rama, shkruan EuroNews, transmeton Klankosova.tv.
14:51 – Pas vizitës në ambasadën amerikane, Blinken shkon në Presidencë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po zhvillon një vizitë tetë orëshe në Tiranë ku pritet të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë.
Blinken aktualisht pritet të zhvillojë një takim me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP./tch/
14:09 – Blinken mbërrin në ambasadën e ShBA-së në Tiranë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka nisur takimet e tij zyrtare në Shqipëri fillimisht nga ambasada e ShBA-së në Tiranë.
Sipas agjendës, Blinken do të ketë një takim me punonjësit e ambasadës për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu, pritet që Sekretari Blinken të zhvillojë takim dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në vend.
Në agjendë parashikohet një takim me presidentin shqiptar, Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.
Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë, shkruan tvklan, transmeton Klankosova.tv.
13:47 -Rama publikon pamje nga arritja e Blinkenit, i uron mirëseardhje (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamjet e arritjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në llogarinë e tij në Facebook.
Bashkë me videon nga aeroporti i Rinasit, kreu i shtetit shqiptar i uroi edhe mirëseardhje Blinkenit.
“Mirësevjen në Shqipëri Sekretari Blinken”, shkroi Rama, njofton Klankosova.tv.
13:07 – DASH njofton zyrtarisht arritjen e Blinkenit në Tiranë: SHBA mbështet Shqipërinë si aleate e NATO-s
Departamenti i Shtetit Amerikan, ka njoftuar zyrtarisht zbarkimin e sekretarit Antony Blinken për vizitën e tij të parë në Tiranë.
Zëdhënësi i DASH-it, shkruan në platformën X, se SHBA-të e mbështesin plotësisht integrimin e plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik, si një partnere dhe aleate e NATO-s, transmeton klankosova.tv.
”@SecBlinken mbërriti në Tiranë për vizitën e tij të parë në Shqipëri si Sekretar. Si një aleate dhe partnere e NATO-s, SHBA-të mbështesin integrimin e plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik dhe ndjekjen e saj për një demokraci dhe ekonomi më transparente”, shkruan Matthew Miller.
.@SecBlinken arrived in Tirana for his first visit to Albania as Secretary. As a @NATO Ally and partner, the U.S. supports Albania's full integration into the Euro-Atlantic community and its pursuit of a more transparent democracy and economy. pic.twitter.com/yO12O9M3CF
— Matthew Miller (@StateDeptSpox) February 15, 2024
12:27 – Dhjetëra qytetarë në rrugë përshëndesin eskortën e Sekretarit Blinken (VIDEO)
Dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës për të përshëndetur eskortën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Blinken ka nisur vizitën tetë orëshe në Tiranë ku pritet të takohet me presidentin shqiptar Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP./TCh