Opozita me reagime për lirimin e Orce Kamçevit nga paraburgimi.Aleanca për Shqiptarët vendimin e Gjykatës së Apelit e quan skandaloz, ndërsa shtojnë se po lirohet edhe një bashkëpunëtor i regjimit të kaluar dhe regjimit aktual hibrid të udhëhequr nga Ahmeti-Mijallkov-Zaev. Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE duke deklaruar se adresa ku duhet kërkuar përgjegjësi për ngjarjet e fundit në gjyqësor është kryeministri në largim Zoran Zaev.
“Pas shumë kriminelëve, në formë të njëjtë lirinë e bleu edhe Orce Kamçev, një nga të akuzuarit kryesorë për veprat më të rënda të keqpërdorimit të parave të qytetarëve. Edhe Kamçev njëjtë si Mijallkov, po e blen lirinë pikërisht me paratë të cilat dyshohet se i ka vjedhur nga xhepi juaj. Ky rast ashtu edhe si në rastet paraprake vetëm se konfirmon atë që ne e deklarojmë me vite. Në Maqedoninë e Veriut mafia ka bërë shtet, mafia fiton shtetësi, ndërsa qytetarët që nuk kanë 11 milionë euro mbahen të pafajshëm në burgje”, tha Adnan Neziri, deputet i ASh-së.
“Nga dëshmia e babait të Bojan Jovanovskit, Mile Jovanovski, kemi parë se personat janë futur dhe nxjerrë nga paraburgimi, janë urdhëruar, ngritur dhe tërhequr akuzat me urdhër të Zoran Zaev. Prandaj, kjo është adresa ku duhet të kërkohen përgjigjet e vërteta për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin për të gjithë cirkun që e përjeton Maqedonia, qytetarët dhe të gjithë të tjerët në vitet e kaluara prej kur Zoran Zaev është në pushtet”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënësi i VMRO-DPMNE.