Kryetari i Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj ka thënë se partitë politike nuk kanë pasur kapacitete për të arritur marrëveshje për daljen e vendit nga ngërçi i krijuar tash e sa muaj politik, me gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Ai tha se Nisma ka kontribuar për të ndihmuar për dalë nga zhbllokimi i gjendjes dhe krijimin e institucioneve, por tash është krijuar një realitet i ri që do të vendoset në bazë të vendimit të Kushtetueses.
“Tani jemi në një realitet të ri, i cili do të vendoset përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e unë shpresoj se Gjykata Kushtetuese do të merr interesin publik dhe të ndihmojë sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës”, tha ai.
Limaj tha se shpreson që Kushtetuesja përmes një akti juridik ta thjeshtësojë dhe udhëzojë Kuvendin për konstituimin, jo vetëm për këtë radhë, por edhe në të ardhmen.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me partinë e Albin Kurtit për daljen nga ngërçi politik.
“Ndihem keq që nuk kemi pasur më tepër mundësi si Nismë për të ardhur deri te ndërtimi i institucioneve. Këto janë mundësitë tona me tre deputetë”, tha Limaj.