Ligji për vetëqeverisje lokale dhe as statuti i Komunës së Tetovës nuk e parashikon pozitën e zëvendëskryetarit. Edhe pse një ditë më parë, kreu i Tetovës emëroi Albi Qailin si zëvendëskryetar, as në ligj dhe as në statut nuk ka dispozita që përcaktojnë kompetencat dhe detyrat e zëvendëskryetarit.
“Kam kënaqësi të kem rastin të kontribuoj për një Tetovë edhe më të mirë, më të zhvilluar më të pastër dhe funksionale, edhe si këshilltar, por tani edhe si zëvendëskryetar i komunës”, tha Albi Qamili, Zv.kryetar i komunës së Tetovës.
Ligji dhe statuti i komunës gjithsesi parashikojnë caktimin e një personi nga radhët e këshilltarëve të komunës i cili do të zëvendësonte kryetarin në rast të mungesës ose pengesës në ushtrimin e funksionit.
Ligji për vetëqeverisje lokale, Neni 52
• Kryetari i komunës cakton kush nga anëtarët e këshillit e zëvendëson në rast të pengesës ose mungesës, në përputhje me procedurën e caktuar me statut.
• Anëtarit të këshillit i pushon funksioni i anëtarit të këshillit në kohën kur e zëvendëson kryetarin e komunës.
Statuti i Komunës së Tetovës, Neni 57
• Gjatë kohës së pengesës ose të mungesës deri në gjashtë muaj kryetarin e komunës e zëvendëson anëtari i Këshillit të Komunës të cilin e cakton kryetari.
• Në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh prej ditës së marrjes së funksionit, kryetari i komunës është i detyruar me aktvendim ta caktojë anëtarin e Këshillit i cili do ta zëvendësonte.
Ligji nuk ka as dispozita për pagën e zv.kryetarit. Kurse për pagën e këshilltarit që caktohet për të zëvendësuar kryetarin në rast mungese ose pengese, paga caktohet sipas ligjit. Nga Komuna e Tetovës thonë se Qamili aktualisht nuk do të paguhet për pozitën e zv.kryetarit, përveç në rastet e mungesës dhe autorizimit nga ana e kryetarit.
“Paga bazë e zv.kryetarit Albi Qamili do të jetë e njëjtë me këshilltarët tjerë komunal, pasi z.Qamili është edhe këshilltar komunal nga radhët e koalicionit VLEN!”, thonë Komuna e Tetovës.
Me pozitën e zv.kryetarit të komunës nuk ka probleme as kryeministri.
“Nuk jam i njoftuar me atë që ka bërë Bilall Kasami në Tetovë por kjo praktikë është edhe në komuna të tjera. Në disa bëhet dhe në disa nuk bëhet. Kjo do të thoja se është më shumë një rol formal kur dikur kryetari nuk do të mundet për arsye objektive të firmosë ndonjë dokument, këtë ta bëjë zëvendësi. Rrallë ndodh që zëvendësi të marrë rolin e kryetarit, sipas informacioneve të mija, por kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen. Nuk shoh asgjë spektakolare aty”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Albi Qamili është këshilltar nga VLEN, gjegjësisht anëtari Besës, dhe ishte bartës i listës për këshilltarë në zgjedhjet e fundit lokale. Edhe pse pritej që ai të bëhej kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, ai pozicion iu dha Jusuf Abdulit nga Alternativa.
Rasti i Tetovës nuk është i vetmi. Emërime të këtilla formale nëpër komuna ka pasur edhe në të kaluarën mirëpo kanë qenë më shumë marrëveshje politike mes partnerëve të koalicioneve që përbëjnë shumicën në komuna për përfaqësim me poste. /Alsat.mk
