20.7 C
Tetovo
E hënë, 23 Qershor, 2025
BallinaLajmeLigji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Prof.Dr Jeton Shasivari: Me ligj...

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Prof.Dr Jeton Shasivari: Me ligj avancohet përfaqësimi etnik nëpër institucione

Profesori i të drejtës kushtetuese, Jeton Sashivari, i cili ka qenë pjesë e grupit punues që ka hartuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat tha për Alsat se një ligj i këtillë është dashur të miratohet që në vitin 2003. Për dallim prej Balancuesit, me këtë ligj avancohet zbatimi i përfaqësimit.

“Me këtë ligj avancohet zbatimi i parimit kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, pra nga rrafshi më tepër politik në një rrafsh kushtetues dhe ligjor, me mekanizëm zbatimi, me parime të caktuara brenda ligjit dhe me afate të caktuara ligjore…Tani bëhet fjalë për një instrument ligjor ekzekutiv, pasi do të jetë trup koordinues që do të funksionojë brenda qeverisë. Qeveria është bartëse e pushtetit ekzekutiv, ajo cakton politikën e zbatimit të ligjeve dhe ka përgjegjësi për zbatimin e ligjeve. Vetë fakti që do të funksionojë në kuadër të pushtetit ekzekutiv kjo është garanci që do të zbatohet nga qeveria dhe nga institucionet tjera të sektorit publik”, deklaroi Jeton Shasivari, profesor universitar.

Lidhur me kritikat për mungesën e sanksioneve ndaj shkelësve eventualë të këtij ligji, Shasivari thekson se qëllimi nuk është ndëshkimi, por zbatimi i përfaqësimit, të cilin do ta bëjë Trupi Koordinues që do të ketë kompetenca ekzekutive pasi do të jetë organ i Qeverisë.

“Qëllimi i këtij ligji nuk është sanksionimi i subjekteve. Vetë fakti që mekanizmi institucional i zbatimit, i ndjekjes, i realizimit të këtij parimi kushtetues do të jetë Trupi Koordinues në kuadër të Qeverisë, flet mjaftë se vetë pushteti ekzekutiv duhet të ketë detyrë ligjore dhe kushtetuese zbatimin e këtij ligji”, tha Jeton Shasivari, profesor universitar.

Rreth dilemave se si do të përcaktohet përkatësia etnike dhe si do të parandalohet deklarimi i rrejshëm eventual i përkatësisë etnike, Shasivari thekson që do të merret për bazë gjuha e letërnjoftimit, por edhe dokumente tjera të cilat do të kryqëzohen.

“Emri dhe mbiemri i qytetarit i regjistruar në letërnjoftim, nënkupton dokument publik personal të detyrueshëm për çdo qytetar të moshës madhore dhe ai emër dhe mbiemër regjistrohet në letërnjoftim në pajtim me amendamentin V, paragrafi 3 dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve neni 12, 13 dhe neni 5 i Ligjit të Letërnjoftimit regjistrohet në gjuhën zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase…Po pikërisht, flasim për gjuhën në të cilën lëshohen dokumentet personale…Me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe me zbatimin e këtij ligji, rastet e tilla abuzive që ishin në të kaluarën me Balancuesin, pra të zvogëlohen edhe të eliminohen”, u shpreh Jeton Shasivari, profesor universitar.

Ligji ka ngjallur debat në opinion pasi Alsat publikoi detaje prej tij, ndërsa për nesër është paralajmëruar që të miratohet në Qeverisë. Pas çka, hapet rruga për dërgimin e tij në Komisionin e Vencias dhe më pas vijimin e procedurave në Kuvend. Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments