Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka anuluar një memorandum që pezulloi grantet dhe huatë federale, i cili kishte krijuar konfuzion të gjerë këtë javë.
“Memorandumi OMB M-25-13 është anuluar. Nëse keni pyetje mbi zbatimin e Urdhrave Ekzekutivë të Presidentit, ju lutemi kontaktoni Këshillin e Përgjithshëm të agjencisë suaj”, thuhet në një memorandum të ri.
Lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, të mërkurën u shpreh se administrata Trump e kishte tërhequr pezullimin pas një “proteste mbarëkombëtare” që ushtroi presion politik mbi Shtëpinë e Bardhë, shkruan cnn.Donald Trump sapo anuloi pezullimin e tmerrshëm të OMB-së. Tani ai duhet të tërheqë kandidaturën e Russell Vought për OMB. Russell Vought është arkitekti kryesor i kësaj politike. Besojmë se ata do të përpiqen ta bëjnë këtë në mënyra të tjera”, u tha Schumer gazetarëve në Kongresin amerikan.
Vendimi i Trumpit për të pezulluar triliona dollarë në grante dhe hua federale nxiti një reagim të ashpër nga demokratët të martën, në një mënyrë që lëvizjet e tjera të javës së parë në detyrë nuk kishin arritur.
Ndryshe, Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se, ndonëse memorandumi i mëparshëm ishte anuluar, urdhrat ekzekutivë të presidentit për pezullimin e ndihmës së huaj dhe përfundimin e nismave për diversitet, barazi dhe përfshirje mbeten në fuqi. Këto urdhra janë më të kufizuara sesa trilionat e dollarëve ndihma që u pezulluan të hënën në mbrëmje.