Liderët e partive të koalicionit VLEN do të mblidhen përsëri sonte për të diskutuar për fatin e koalicionit të tyre, gjegjësisht për opsionet me ose pa Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit. Ky takim vjen dy ditë para se skadon afati i dhënë nga liderët e tjerë për Taravarin, të cilët ditë më parë, thanë se çështja duhet të sqarohet brenda javës dhe Taravari duhet të ndajë mendjen, do të vazhdojë bashkëpunimin me VLEN-in ose me BDI-në. Kreu i Besës, Bilall Kasami, beson se vendimi do të merret sonte.
“Unë besoj se sot përfundimisht do të kemi një vendim se si do të shkojmë më tutje. Unë shpresoj që të gjithë do të reflektojmë dhe koalicioni VLEN në zgjedhjet lokale do të dalë bashkë ashtu si doli në zgjedhjet parlamentare dhe jam i bindur që ky projekt do të vazhdojë edhe më tutje me sukses dhe në zgjedhjet lokale do të dalim fitues”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa, VLEN.
Orhan Murtezani nga Alternativa beson se VLEN do të vazhdojë edhe më tej bashkë.
“Ne jemi të përkushtuar maksimalisht dhe bëjmë çmos që t’i mbajmë të gjithë partnerët brenda VLEN-it. Ne jemi absolutisht të hapur. Procesin e bashkëpunimit brenda VLEN-it, as kur e kemi bërë dhe as tani, nuk e shohim si operacion statistikor ose përqindje, kush sa merr por e shohim si një shpresë e cila duhet të artikulohet për të vazhduar ndryshimi edhe më tej. Andaj pritshmëritë tona vazhdojnë të jenë të mëdha, njëjtë sikurse është edhe gatishmëria për të vazhduar edhe më tutje bashkë”, deklaroi Orhan Murtezani, VLEN, ministër për Çështje Evropiane.
Për dallim nga pjesa tjetër e VLEN, Taravari beson se negociatat do të vazhdojnë edhe më tej.
“Jemi duke negociuar, jemi duke biseduar. Ka shqetësime, është evidente, tashmë çdokush e sheh, por ne do të vazhdojmë. Sonte kemi takimin e rregullt përsëri kështu që negociatat brenda VLEN-it nuk ndalen. Besoj se grupet e punës do të vazhdojnë të punojnë dhe do të arrijmë një gjejmë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë me të vetmin qëllim që të mos ketë frustrime dhe pakënaqësi nëpër partitë të cilat e përbëjnë VLEN-in”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Krisja mes partnerëve, Taravarit nga njëra anë dhe të tjerëve nga ana tjetër, filloi që kur në media u bë e ditur se Taravari ka kërkuar që në zgjedhjet lokale të garohet me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë dhe 40% të kandidatëve për kryetarë. Liderët e tjerë e kundërshtuan këtë opsion dhe përshpejtuan nismën për shkrirjen në një parti të vetme. Taravari nga ana tjetër kritikoi funksionimin e VLEN-it në qeveri dhe joefikasitetin në marrjen së vendimeve brenda koalicionit shqiptar. /Alsat.mk