1.6 C
Tetovo
E diel, 18 Janar, 2026
BallinaLajmeLevica alarmoi: Qendra për Punë Sociale në Tetovë është vatër e krimit...

Levica alarmoi: Qendra për Punë Sociale në Tetovë është vatër e krimit dhe korrupsionit, reagoi ministria

Partia Levica (e Majta) përmes një reagimi thotë se skandali në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë, me pagesa të paligjshme të pensioneve sociale dhe shtesave për kujdes nga persona të tjerë, zbulon korrupsionin e thellë sistemik dhe keqpërdorimet në një institucion që duhet t’u shërbejë kategorive më të cenueshme. Ministria e Politikës Sociale lëshoi demant, raporton Portalb.mk.

Levica thotë se pensione sociale kanë përfituar persona që nuk i kanë plotësuar fare kushtet për këtë, ndërsa persona për të cilët ishte jetike të marrin pension social ose kompensim për kujdes nga persona të tjerë janë refuzuar.

“Sipas të dhënave të deritanishme, disa të punësuar në Qendër, mes tyre edhe një drejtues, kanë paguar pensione sociale, kompensime për kujdes nga persona të tjerë dhe përfitime të tjera sociale, madje edhe në mënyrë retroaktive, për persona që nuk i kanë plotësuar kushtet, duke i shkaktuar dëm buxhetit prej disa qindra mijëra eurosh”, tha Levica.

Ata thonë se pavarësisht se Prokuroria Publike ka ngritur procedurë ndaj këtyre personave dhe pas pranimit të fajësisë për punë të pakujdesshme në shërbim, ata janë obliguar të paguajnë nga 18.000 denarë dhe më pas kanë vazhduar të punojnë në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë.

“Kjo dërgon një mesazh të rrezikshëm se keqpërdorimi i parave publike dhe shkelja e drejtësisë sociale kalojnë pa pasoja reale”, tha Levica.

Në ndërkohë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë lëshoi demant.

“Këto akuza janë plotësisht të pabazuara, të pasakta dhe në kundërshtim me faktet. Inspektorët e Shërbimit Inspektues pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, rregullisht kryejnë mbikëqyrje inspektuese të të gjitha llojeve (të rregullta, të jashtëzakonshme dhe kontrolluese) në IP Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale Tetovë, si subjekt i mbikëqyrjes inspektuese”, thanë nga ministria.

Ata thonë se gjatë mbikëqyrjeve inspektuese të rregullta, të jashtëzakonshme dhe kontrolluese, në mënyrë të vazhdueshme shqiptohen masa përkatëse inspektuese me qëllim të eliminimit të parregullsive të konstatuara.

“Pas shterimit të masave inspektuese, në përputhje me dispozitat ligjore, ndërmerren masa për përcaktimin e përgjegjësisë dhe inicimin e procedurave përkatëse ndaj kryerësve të shkeljeve të konstatuara, përfshirë paraqitjen e kallëzimeve përkatëse pranë organeve kompetente”, tha ministria.

Në lidhje me procedurat për realizimin e të drejtave të lartpërmendura nga mbrojtja sociale, inspektorët për mbrojtje sociale nga Sektori për Mbikëqyrje Inspektuese në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, në IP Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale Tetovë, gjatë vitit 2024 realizuan dy mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme mbi bazë të iniciativave të paraqitura nga qytetarët dhe gjashtë (6) mbikëqyrje kontrolluese për ndjekjen e zbatimit të masave inspektuese të shqiptuara me vendime nga viti 2023, me ç’rast u konstatuan parregullsi në 76 lëndë. Gjatë vitit 2024 u miratuan gjithashtu vendime me të cilat u shqiptuan masa inspektuese për edhe shtatë lëndë të tjera.

Gjatë vitit 2025 është realizuar një mbikëqyrje inspektuese e rregullt, me ç’rast u konstatuan parregullsi në gjashtë lëndë, një mbikëqyrje inspektuese e jashtëzakonshme me parregullsi të konstatuara në pesë lëndë, si dhe gjashtë mbikëqyrje kontrolluese për ndjekjen e zbatimit të masave inspektuese të shqiptuara me vendime të miratuara në vitet 2024 dhe 2025.

“Në kuadër të të gjitha mbikëqyrjeve inspektuese të realizuara, janë konstatuar parregullsi në gjithsej 94 lëndë. Sipas mbikëqyrjeve kontrolluese të realizuara, parregullsitë e konstatuara janë eliminuar në 88 lëndë, pas së cilës procedura inspektuese është ndërprerë. Përjashtim bën një mbikëqyrje e realizuar në vitin 2025, në të cilën janë konstatuar parregullsi në gjashtë lëndë, për të cilat mbikëqyrja kontrolluese do të realizohet pas skadimit të afatit të përcaktuar për zbatimin e masave inspektuese”, tha ministria.

Kujtojmë se së fundmi në opinion kanë qarkulluar lajme për keqpërdorime në Qendrën për Punë Sociale në Tetovë, me theks të veçantë te drejtoresha Magdalena Veselinovska për të cilën u raportua se ka përfituar çara për kujdes nga tjetri, ku më pas ajo demantoi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments