Nëse ndonjë parti shqiptare nxjerr kandidat të sajin për President, kjo do të ishte shërbim i hapur që i bëhet VMRO-DPMNE-së, u shpreh në emisionin “10 minuta” nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, duke u sqaruar se një kandidat shqiptar pa mbështetjen e një partie maqedonase nuk mund t’i fitojë zgjedhjet presidenciale.“N.q.s. gjejnë parti politike shqiptare të cilat në mënyrë tekanjoze nxjerrin një kandidat të tyre, ajo hapur është shërbim për VMRO-DPMNE-në, për arsye se e privojnë elektoratin shqiptar që të votojë për një opsion proeuropian. Do të votohej një kandidat për të cilin do të shkonte një numër i caktuar i votave, me çka privon që që në raundin e parë të kemi një fitore të një kandidati për president n.q.s. arrihet censusi i paraparë me Kushtetutë.”- tha Arbër Ademi, BDI.
Fadil Zendeli nga Lidhja Europiane për Ndryshim, këtë deklaratë e sheh me paragjykime.
“Partitë politike i kanë llogaritë e matematikat e veta, programet e veta dhe objektivat politike që dëshirojnë t’i realizojnë dhe mbi bazën e kësaj merren vendimet. Ne si koalicion edhe më herët kemi thënë se mendojmë seriozisht që të kemi kandidat për zgjedhjet presidenciale por është çështje që do ta vendosin organet partiake, nuk është çështje për të cilën unë mund të jap ndonjë deklaratë më tepër.”- deklaroi Fadil Zendeli, LEN.Lidhja Europiane për Ndryshim e përbërë nga tre partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa tashmë kanë paralajmëruar se mund të dalin me kandidatin e tyre shqiptar për President. ASH nuk e ka përjashtuar mundësinë se mund ta mbështesë kandidatin e opozitës shqiptare. Nga ana tjetër, BDI është e qëndrimit për mbështetjen e një kandidati konsensual.