Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke në intervistë për DW e quan Vjosën një nga dhomat e thesarit natyror të Shqipërisë. Për Parkun Kombëtar të Vjosës ajo kërkon zgjidhje profesionale.
Deutsche Welle: Zonja ministre, Lumi Vjosa është Park Kombëtar i një lumi të egër, i pari në Shqipëri dhe në Evropë, megjithatë po përballet me probleme të menaxhimit. E njëjta situatë paraqitet edhe me zonat e tjera të mbrojtura. Nisur nga përvoja gjermane në menaxhimin e të tilla zonave, si mund të aplikohej ajo në Shqipëri?
Steffi Lemke: Unë e admiroj Shqipërinë për këtë thesar natyror që ajo zotëron dhe që është një arsye mjaft e rëndësishme për thithjen e turistëve, që sjell me tej edhe një zhvillim të konsiderueshëm në sektorin e ekonomisë. Vjosën do ta quaja një nga dhomat e thesarit dhe unë e përgëzoj Shqipërinë për faktin e të pasurit Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër. Strukturat menaxhuese të këtij parku janë duke u përballur me problematika të ndryshme, zgjidhjet e të cilave do të duhet të ishin në mënyrë shumë profesionale, pra të ruanin dhe të garantonin mbrojtjen e këtyre zonave. Gjermania mbështet në këtë drejtim siç është ai i përshtatjes së legjislacionit për sa i përket ruajtjes së zonave të mbrojtura. Unë ndodhem këtu pikërisht që të gjejmë zona ku mund të intensifikojmë punën në këtë drejtim.
–Lumi Shushica, degë e Vjosës dhe pjesë e Parkut Kombëtar rrezikohet nga ndërtimi i një ujësjellësi që kundështohet nga komuniteti i zonës dhe organizatat mjedisore. Si mund të ruhet një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e komunitetit?
Unë kam pasur privilegjin dhe mundësinë që në vitin 2019 të vizitoj disa fshatra, mes tyre edhe të zonës ku ndodhet Shushica dhe mund të them që natyra dhe peisazhet aty janë unike dhe duhet bërë çdo përpjekje për t’i ruajtur. Sigurisht, duhet të ketë edhe zhvillim ekonomik të zonës, po kjo do të duhet të vlerësohet dhe gjykohet nga institucionet shqiptare se ku do të duhej të përqendronin përpjekjet e tyre, në mënyrë të tillë që të mos kishte dëme në asnjërën prej aspekteve. Qeveria gjermane është e gatshme të ndihmojë për të gjetur kompromiset e duhura në këtë drejtim. Në këndvështrimin tim është shumë e rëndësishme që të kemi zona të tilla natyrore ku të ruhet unikaliteti i zonave, pra të gjendet një balancë.
–Ndodhemi në Vjosë, ku morët pjesë në një aksion për ripyllëzimin e saj. Shqipëria ndodhet në hartën e rrezikut për ndryshimet klimatike, e rrezikuar veçanërisht nga përmbytjet dhe thatësira. Çfarë masash mund të ndërmerren për të përballur dhe për t’u përshatur me këtë sfidë?
Diçka e mrekullueshme të shikosh sesi shoqëria civile dhe organizatat e mbrojtjes së mjedisit kanë dhënë një kontribut mjaft të vyer sa i përket rinatyralizimit përmes masave sikundër janë ato të ripyllëzimit të zonës eluvionale këtu. Kjo është meritë e shoqërisë civile në bashkëpunim me qeverinë, pra e bashkëveprimit mes tyre, edhe për vetë faktin që Vjosa u shpall Park Kombëtar i lumit të egër.
Ndryshimet klimatike shoqërohen në çdo vend të botës me periudha thatësirash, me stuhi, me përmbytje dhe politika nuk ka reaguar ende mjaftueshëm ndaj këtyre fenomeneve. Ne duhet të kuptojmë që ne jemi të varur ndaj mjedisit, që na duhet të konsiderojmë natyrën si aleaten tonë, nëse duam të mbrojmë jetën tonë, dhe jo ta dëmtojmë atë.
–Në Shqipëri ka një problem të madh me menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen e ujërave. Cilat janë disa nga projektet apo iniciativa konkrete nga Gjermania për të ndihmuar në këtë drejtim?
Në fakt jemi të vetëdijshëm për problemet që lidhen me ndotjen e mjedisit dhe këto nuk ekzistojnë vetëm në Shqipëri, po edhe në shumë vende të tjera të botës. Ne kemi menduar vazhdimisht vetëm sesi të krijojmë dhe të gjenerojmë konsum, por jo paralelisht me këtë jo sesi të ngremë sistemet e duhura të menaxhimit të mbetjeve dhe adresimin e tyre, situatë kjo që duhet të ndryshojë. Gjermania mbështet Shqipërinë pikërisht në këtë drejtim, në ngritjen e menaxhimit të mbetjeve, të asgjesimit të tyre, po kështu ngritjes së rrjetit të kanalizimeve, pra trajtimit të ujrave të ndotura dhe kjo në aspektin ligjor dhe ndihmës direkte për komunitetet, mund të përmend këtu qytetet e Cërrikut dhe të Korçës.
Në kontekstin e integrimit evropian, Shqipëria ka hapur kapitujt e parë të negociatave. Si mund të kontribuojë Gjermania në drejtim të kapitullit 27, pra atë të mjedisit?
Ne jemi në shkëmbime të vazhdueshme me Shqipërinë sa i përket çeljes sa më të shpejtë të kapitullit 27 të negociatave për anëtarësim, po ashtu edhe në kontekstin e procesit të Berlinit, për të ngritur kapacitetet e duhura ligjore në funksion të mbrojtjes së natyrës, mjedisit, ujrave, dhe në qoftë se ia dalim që kapitullin 27 ta hapim brenda këtij viti, ky është një qëllim i një projekti ambicioz, por mendoj se me vullnetin dhe dëshirën e mirë mund t’ja arrijmë./DW