Personat që për herë të parë blejnë banesë ose shtëpi për banim, së shpejti, ndoshta brenda një deri dy javësh, do të përfitojnë lehtësira të konsiderueshme gjatë aplikimit për kredi banesore, deklaroi Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, shkruan Alsat.
Ai tha se po përgatiten pako masash me të cilat do të përmirësohen kushtet për këtë kategori qytetarësh, ndërsa paralelisht do të ashpërsohen kriteret për blerjen e pasurive të patundshme që përdoren si investim, pra për të gjithë ata që blejnë më shumë se një banesë, shtëpi ose çfarëdo lloj prone tjetër.
Sa u përket masave, guvernatori nuk zbuloi detaje, përveç se në një pyetje të gazetarëve tha se më shumë bëhet fjalë për kthimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për personat që për herë të parë blejnë banesë.
“Këtë po e bëjmë për arsye të njohura, sepse ajo që po ndodh në tregun e banesave në Republikën e Maqedonisë, veçanërisht e përqendruar në disa qytete, kryesisht në kryeqytet, i vë në një situatë shumë të pavolitshme të rinjtë, çiftet e reja, madje edhe beqarët që synojnë të zgjidhin çështjen e banimit, për shkak se çmimet janë shumë të larta në raport me të ardhurat dhe pagat. Ne nuk duam që ky trend të vazhdojë në të ardhmen dhe mendoj se si Bankë Popullore kemi instrumente me të cilat mund ta arrijmë këtë”, tha Trajko Sllaveski, Guvernator i Bankës Popullore.
Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Ivan Zhivkovski, deklaroi se në bashkëpunim me Bankën Popullore do të përgatiten kontrolle shtesë për të parandaluar manipulime të mundshme gjatë përdorimit të lehtësirave për blerësit e parë të banesave.
“Biseduam që t’i dorëzojmë për shqyrtim masat që do t’i përcaktojë Banka Popullore, kryesisht në pjesën e lëshimit të certifikatave që ne i kemi në dispozicion për këtë, nëse personi i caktuar ka pasuri të patundshme në atë moment ose jo dhe nëse ka pasur në të kaluarën, sepse mund të ndodhin përpjekje për manipulim të vetë masave, që të ketë persona që kanë pasur pronë më parë dhe e kanë shitur për të arritur të përfitojnë një normë më të favorshme interesi nga bankat”, u shpreh Ivan Zhivkovski, Drejtor i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive.
Drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Ivan Zhivkovski, tha se deri në fund të shtatorit duhet të përfundojë edhe regjistri i çmimeve për qira, i cili disa vite nuk ka funksionuar./ Alsat.mk