-0.2 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajme"Le Figaro": Gjatë takimit në Washington, Thaçi e Vuçiq kanë përmendur idenë...

“Le Figaro”: Gjatë takimit në Washington, Thaçi e Vuçiq kanë përmendur idenë e shkëmbimit të territoreve

Kallxo / Isabelle Lasserre/ Le Figaro 12.5.2020

Kriza shëndetësore nuk i ka shuar të gjitha nismat diplomatike. Në hijen e COVID-19, përderisa gjysma e njerëzimit është mbyllur, disa madje kanë shënuar një përshpejtim. I tillë është rasti i konfliktit ndërmjet Kosovës, e pavarur që nga viti 2008, dhe Serbisë, e cila kurrë nuk e ka njohur zhvillimin e ish-provincës së saj.

Në mes të krizës me coronavirusin, në fillim të prillit, Qeveria e Kosovës hoqi tarifën prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe, duke hequr kështu njërën prej pengesave kryesore për rifillimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat kanë mbetur konfliktuoze që nga lufta, në fund të viteve 1990. Ky vendim ishte përgatitur me rastin e një takimi diskret në Washington më 2 mars, në prani të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, dhe këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien.  Gjatë këtij takimi, presidenti serb dhe ai kosovar. Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, kanë përmendur idenë e një shkëmbimi të territoreve, të cilin e konsiderojnë që prej dy vitesh si një mjet për të arritur një marrëveshje paqësore përfundimtare.

Tabu europiane, ideja për të ndryshuar kufijtë e këtyre dy shteteve të Ballkanit, duke shkëmbyer veriun serb të Kosovës me luginën shqiptare të Preshevës, në jug të Serbisë, ishte përmendur, në fakt, nga Vuçiq dhe Thaçi më 2018. Mirëpo, që prej atëherë, dialogu, në të cilin ishin implikuar Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, ishte ngrirë për shkak të rezistencave politike në Serbi dhe në Kosovë. Përpjekjet europiane për ta rinisur kishin dështuar edhe në samitin e Berlinit në prill 2019. Edhe një herë më shumë, dallimet e shteteve dhe sidomos ato të “çiftit” franko-gjerman ia kishin humbur BE-së një rast për të rregulluar një prej problemeve kryesore në Ballkan.

Që prej atëherë, dosja është marrë në dorë nga Donald Trump, i cili dëshiron të vërë në shërbim të krizës “The Art of the Deal”-in e tij.

Presidenti amerikan, i cili e mbështet idenë e një korrigjimi të kufijve për të arritur një “paqe të pranueshme”, ka emëruar një të dërguar special për negociatat, Richard Grenellin. Nën presionin e tij, Beogradi dhe Prishtina kanë nënshkruar një marrëveshje për rifillimin e lidhjeve ajrore, dhe pas pak të atyre hekurudhore. Për të bindur Kosovën të heqë tarifën doganore, amerikanët kanë vënë në peshore pezullimin e një ndihme ekonomike prej 50 milionë dollarësh.

Vrima e zezë e Europës

Plani amerikan po ashtu e ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës më 25 mars dhe përmbysur kryeministrin Albin Kurti. Shefi i Qeverisë aktuale akuzon amerikanët të kenë provokuar krizën politike për të imponuar  një zgjidhje të cilën ai e kundërshton. Donald Trump dëshiron të ecë shpejt, të imponojë marrëveshjen para zgjedhjeve amerikane të nëntorit. Kundërshtues i çdo shkëmbimi të territoreve, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi, Albin Kurti dëshiron ndërkaq të fitojë në kohë dhe t’i zvarrisë gjërat duke shpresuar në një ndryshim pushteti në Washington.

E margjinalizuar, Europa është përpjekur me ngathtësi të rimarrë në dorë dosjen, duke e emëruar emisarin e saj për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, ish-ministrin sllovak të Punëve të Jashtme. Një ndërmjetës vendi i të cilit nuk e njeh Kosovën… Franca dhe Gjermania po ashtu kanë premtuar një samit të ardhshëm në Paris, por pas krizës shëndetësore. Në në një intervistë dhënë mediave lokale, Josep Borrell ka pohuar se ai nuk e kundërshton një korrigjim të kufijve nëse nisma do të mund të sillte një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin dhe nëse të dy palët do të ishin dakord.

“S’mund të jemi më katolik se Papa”, ka thënë shefi i diplomacisë europiane. Por, ky ndryshim toni në politikën europiane vjen shumë vonë. “Askush nuk mund të përparojë në Ballkanin Perëndimor pa Shtetet e Bashkuara… Të gjithë e kanë ndjerë se BE është e plogësht dhe e ndarë. Europianët nuk kanë shpirt drejtuesi”, kishte thënë presidenti kosovar Hashim Thaçi pas dështimit të samitit të Berlinit. BE nuk po çmohet më shumë as në Serbi, ku Kina ka qenë më e pranishme gjatë krizës së COVID-19. “Bashkëpunimi europian është një përrallë zanash”, ka thënë presidenti serb.

Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq të dy kanë arsye të vendosin për një shkëmbim territoresh ndërmjet dy vendeve. Presidenti kosovar nuk dëshiron të vërë në rrezik relacionin me Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë një prej arkitektëve kyç të pavarësisë së vendit të tij. Një normalizim i marrëdhënieve me Beogradin do t’i lejonte Kosovës pranimin në institucione ndërkombëtare dhe që të ekzistojë, më në fund, si një shtet me të drejta të plota. Disa thonë se ajo do t’i mundësonte Hashim Thaçit, ish-drejtues i gueriles gjatë luftës, t’u shpëtonte ndjekjeve eventuale penale. Sa i përket Aleksandar Vuçiqit, ai shpreson se paqja me Kosovën do t’i mundësojë Serbisë të përshpejtojë ecjen drejt anëtarësimit në BE.

Mirëpo, projekti po ngjall rezerva të ashpra në Serbi dhe në Kosovë. Berlini konsideron po ashtu, madje më shumë se Emmanuel Macron, që një ndryshim i kufijve do të mund të zgjonte demonët e vjetër ballkanikë dhe do të rihapte “kutinë e Pandorës” në këtë rajon, ku secili vend ka minoritete etnike. Rusia, e cila ka interesa solide në Serbi, zyrtarisht nuk ka marrë ndonjë qëndrim, edhe pse disa dyshojnë se ajo dëshiron ta përdorë këtë precedent për të siguruar një legjitimim të aneksimit të Krimesë…

Në këtë çështje, as “statu quo”-ja nuk është një zgjidhje e mirë, pasi që e shndërron pak nga pak rajonin në një vrimë të zezë të Europës.

Me, më në fund, të gjitha rreziqet që rriten në vrimat e zeza: rreziqet e shpërthimit, terrorizmi, trafiqet, mjerimi social dhe ekonomik, rritja e influencave turke, ruse dhe kineze. “Përse do të kundërshtonim ne një zgjidhje nëse ajo pranohet nga të dyja palët ?”, pyeste, së fundmi, në Twitter, ish-ambasadori francez në Shtetet e Bashkuara, Gerard Araud./KALLXO.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments