Gjykata Themelore Penale Shkup caktoi masa ndaj Dragan Pavloviq – Latas dhe Stefan Llazarov, të akuzuar për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik, pas transmetimit të një podkasti që u tallte dhunën ndaj grave.Meta.mk.
Gjykata bëri me dije se Latasit i merret dokumenti i udhëtimit, atij madje i ndalohen edhe daljet publike që nxisin përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike. Me këtë, gjykata e pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Shkup.
“Të akuzuarit D.P.L. i caktohet masa parandaluese, konfiskimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit…dhe ndalim për kryerjen e disa aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale, gjegjësisht ndalimi publik i paraqitjeve që promovojnë përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike”, ka njoftuar mes tjerash Gjykata Themelore Penale Shkup.
Në të njëjtën kohë, YouTuberit Stefan Lazarov iu ndaluan gjithashtu daljet publike që promovojnë përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike.
Dy të akuzuarit kanë të drejtë ankese në afat prej tri ditësh pas pranimit të vendimit në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Prokuroria Publike në Shkup ngriti akuzën kundër Pavloviq – Latas dhe Lazarov të hënën. Të dy akuzohen për përhapjen e racizmit dhe ksenofobisë që nxisin dhunën ndaj grave, duke shkaktuar kështu një ndjenjë neverie dhe ankthi në publik.
Në videon e publikuar mbrëmjen e 14 shkurtit dhe e cila u transmetua drejtpërdrejt, Dragan Pavloviq – Latas duke qeshur tregon për dhunën seksuale ndaj një gruaje kur ishte adoleshent, ndërsa moderatori Stefan Lazarov reagon me të qeshur dhe pyetje për përmbajtjen eksplicite.
Podkasti i diskutueshëm në kanalin e Stefan Lazarov në YouTube shkaktoi reagime të ashpra në opinion, ku reaguan Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, si dhe disa organizata dhe shoqata joqeveritare. Videoja më vonë u bë e padisponueshme për t’u parë në YouTube.