11.9 C
Tetovo
E hënë, 16 Shtator, 2024
BallinaLajmeLajçak kritikon Serbinë: Radojiçiç të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, të...

Lajçak kritikon Serbinë: Radojiçiç të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, të përballet me drejtësinë

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se krimineli serb Milan Radojiçiç i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të mbahet përgjegjës dhe të përballet me drejtësinë.

“Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Milan Radojeçiç-in që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë.

Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë”, tha Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është mbajtur ende përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe se nuk e ka dorëzuar akoma përgjegjësin e këtij sulmi kryekriminelin Radojiçiç tek autoritetet e Kosovës.

“Para katër ditësh u mbushën plotë 11 muaj nga agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin Milan Radojiçiç”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i e ku theksohet se për këto vepra mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments