Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me punimet e seancës së sotme, që dështoi pak minuta pas nisjes. Në këtë seancë pati përpjekje që të ndryshohet mënyra e votimit për Kryetarin e Kuvendit, ashtu që të ketë votim të fshehtë, me fletëvotime fizike. Kjo u kundërshtua nga partitë tjera, që e konsideruan si vendim arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit,
Në njoftim bëhet me dije se seanca do të vazhdojë të shtunën, në orën 10:00.
Aty përmendet edhe propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Për këtë propozim, ai është thirrur në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
Sipas tij, kjo formë do i hapte rrugë zhbllokimit të procesit.
“Në fillim të seancës kryesuesi Dehari tha se pas disa dështimeve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, konkretisht paragrafin 124, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë apo i çfarëdo forme tjetër, bazuar edhe në Rregulloren e punës së Kuvendit dhe me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, forma e duhur që mund të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit është votimi në mënyrë të fshehtë, me fletëvotime fizike”, thuhet në njoftim.