-3 C
Tetovo
E diel, 12 Janar, 2025
BallinaLajmeKush është fqinji më i fortë i Serbisë?

Kush është fqinji më i fortë i Serbisë?

https://www.gazetametro.net/kush-eshte-fqinji-me-i-forte-i-serbise/

Një sulm ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën ka kthyer vëmendjen edhe një herë te fuqia ushtarake e shteteve të ndryshme.


Edhe më e theksuar kjo çështje është në Ballkan, këtu ku Rusia ka një aleat historik.

Bëhet fjalë për Serbinë, e cila është e kufizuar me tetë shtete, gjashtë prej të cilave janë anëtare të NATO-s, pjesë e së cilës u bënë pas vitit 1999, kur aleanca veriatlantike e sulmoi shtetin që drejtohej nga Beogradi.

Edhe 23 vjet më vonë, Serbia konsiderohet si një nga fuqitë më të mëdha ushtarake në rajon.

Bazuar në të dhënat e revistës Globalfirepower, Beogradi numëron një personel ushtarak prej 80 mijë personash, ndërsa 25 mijë prej tyre i ka personel aktiv.

50 mijë të tjerë janë rezervë, ndërsa 5 mijë janë personel paraushtarak.

Me një buxhet mbrojtjeje prej mbi 1 miliard dollarë, Serbia, që ka qenë shkaktare e të gjitha luftërave në Ballkan, ka në posedim 10 aeroplanë luftarakë, ndërsa 17 të tjerë i ka fluturake sulmuese.

Në kuadër të fuqisë ajrore të Serbisë bën pjesë edhe një aeroplan transportues, 38 të tjerë trajnues, 51 helikopterë dhe katër helikopterë të tjerë sulmues.

Sa i përket fuqisë së mjeteve tokësore, Serbia, që është pajisur edhe me armatim nga Rusia, ka 323 tanke, 1133 mjete të blinduara, 93 mjete artileri vetëlëvizëse, 404 armë – artileri për tërheqje dhe 406 automjete për mbajtjen e raketave.

Por, bazuar në revistën GFP, Serbia nuk është fuqia më e madhe ushtarake në rajon.

Ky shtet ballkanik kufizohet me Rumaninë, që për forca ushtarake ka një buxhet prej mbi 5 miliardë dollarë dhe personel ushtarak prej 132 mijë personash. Nga ta aktivë janë 67 mijë, rezervë 50 mijë dhe personel paraushtarak 15 mijë.

Bukureshti zyrtar ka në posedim 30 aeroplanë luftarakë, dy të tjerë për misione speciale, 11 fluturake transportuese, 42 të tjera trajnuese dhe 62 helikopterë.

Sa u përket forcave tokësore, Rumania ka në zotërim 451 tanke, 1392 mjete të blinduara, 808 artileri tërheqëse dhe 207 automjete për mbajtjen e raketave.

Për dallim prej Serbisë, Rumania ka edhe flotë detare.

Kështu në zotërim të këtij shteti ballkanik, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, janë 3 anije luftarake, tri të tjera patrulluese, 7 anije të vogla luftarake dhe 5 të tjera që janë anti-mina.

Buxhet më shumë për mbrojtje ndan edhe fqinji tjetër i Serbisë, Hungaria. Budapesti zyrtar ka në dispozicion mbi 3 miliardë dollarë për ushtrinë, ndërsa ka 12 aeroplanë luftarakë, dy të tjerë transportues dhe 8 aeroplanë trajnues. Gjithashtu ka 33 helikopterë ushtarakë dhe 8 të tjerë sulmues.

Sa u përket forcave tokësore, në zotërim Hungaria ka 176 tanke, 510 mjete të blinduara dhe 12 artileri për tërheqje. Ndërsa në total ka 55 mijë njerëz me përvojë ushtarake, 23 mijë nga ta janë aktivë, 20 mijë të tjerë rezervë dhe 12 mijë personel paraushtarak.

Në kufi tokësor me Serbinë është edhe Bullgaria. Ky vend, ish-anëtar i bllokut sovjetik e tash anëtar i NATO-s, ka një personel ushtarak prej 33 mijë vetash, 30 mijë prej të cilëve janë aktivë dhe 3 mijë të tjerë rezervë.

Sofja zyrtare fuqinë e mjeteve luftarake e ka dukshëm më të vogël sesa Beogradi. Në posedim ka 11 aeroplanë luftarakë, gjashtë aeroplanë sulmues, 7 të tjerë transportues dhe 20 fluturake trajnuese. Gjithashtu posedon edhe 22 helikopterë ushtarakë dhe dy të tjerë të tipit sulmues.

Por, për dallim nga Serbia edhe Bullgaria ka flotë ushtarake detare. Ky vend ballkanik ka 4 anije luftarake, dy anije të vogla sulmuese dhe 12 anije anti-mina. Ndërsa buxhetin e ka mbi 1 miliard dollarë.

E në kufi me fqinjin verior të Kosovës është edhe Kroacia, që ka qenë në kuadër të ish-Jugosllavisë e tani anëtar i NATO-s, ndërsa buxhet mbrojtjeje ka mbi 2 miliardë dollarë.

Sa u përket mjeteve tokësore ushtarake, Zagrebi zyrtar posedon 72 tanke, 650 mjete të blinduara, 24 artileri vetëlëvizëse dhe 231 mjete të tjera artilerike me tërheqje. Posedon edhe 105 automjete për mbajtjen e raketave, ndërsa në flotë detare në zotërim ka 15 anije patrulluese dhe një anije anti-mina.

Bazuar në revistën GFP, Kroacia posedon edhe 12 aeroplanë luftarakë, 26 fluturake trajnuese dhe 40 helikopterë.

Në total, ky shtet mik i Kosovës ka një personel ushtarak prej 37 mijë trupash, 15 mijë nga ta aktivë, 20 mijë rezervë dhe 2 mijë paraushtarakë.

Një forcë ushtarake ka edhe Bosnjë e Hercegovina. Ky shtet ballkanik, që ka shumë telashe të brendshme, ka një personel ushtarak prej 9 mijë trupash dhe që të gjithë janë aktivë. Posedon 19 helikopterë, ndërsa në zotërim ka edhe 320 tanke, 332 mjete të blinduara, 57 artileri vetëlëvizëse, 679 artileri me tërheqje dhe 143 automjeteve për mbajtjen e raketave.

Buxhetin e mbrojtjes e ka rreth 178 milionë dollarë.

Vend anëtar i ish-Jugosllavisë ka qenë edhe Maqedonia e Veriut. Por, edhe ky shtet që nga 2020-shi është pjesë e Aleancës Veriatlantike.

Ky shtet, që është në kufi edhe me Kosovën edhe me Serbinë, ka një buxhet mbrojtjeje prej 192 milionë dollarë, ndërsa posedon 10 tanke, 228 mjete të blinduara, 36 artileri për tërheqje dhe 11 projektorë raketash. Ka një flotë të vogël ajrore, me 10 aeroplanë trajnues, 4 helikopterë sulmues dhe 10 helikopterë të tjerë ushtarakë.

Në kufi me Serbinë dhe Kosovën është edhe Mali i Zi, që gjithashtu ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe tashti është vend anëtar i NATO-s.

Ky shtet ndan 74 milionë dollarë për mbrojtje, ndërsa ka një flotë detare ushtarake prej vetëm 5 anijesh patrulluese. Sa i përket fuqisë për luftë nga ajri posedon vetëm 11 helikopterë. Ndërsa, sipas revistës GFP, Podgorica nuk ka tanke dhe posedon 100 mjete të blinduara, 12 artileri tërheqjeje dhe 18 automjete për mbajtjen e raketave. Sa i përket personelit ushtarak, Mali i Zi ka një forcë prej 12 mijë trupash, 10 mijë aktivë dhe 2 mijë të tjerë rezervë.

Krejt në fund sa i përket fuqisë ushtarake renditet Kosova.

Në Kosovë ekziston një forcë e armatosur e cila mandat ushtarak mori në fund të vitit 2018. Forca e Sigurisë përbëhet nga 3500 trupa aktivë dhe 3 mijë të tjerë rezervë. Sa u përket mjeteve luftarake, Kosova, sipas revistës GFP, ka në posedim 152 mjete të blinduara.

Por, Kosova, që synon të bëhet anëtare e NATO-s, tash e 23 vjet e ka NATO-n brenda. Një forcë paqeruajtëse e Aleancës Veriatlantike, numëron 3770 ushtarë nga 28 vende anëtare dhe partnere të NATO-s.

Anëtare të NATO-s në rajonin e Ballkanit janë edhe Greqia dhe Shqipëria, por që nuk janë në radhën e fqinjëve të parë të Serbisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments