Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se fajin për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, që ta sfidojnë nëse i ka votat për Qeverinë, Bajrami tha se Kurti duhet të dalë me sqarim, meqë kështu i bie se dikush brenda Vetëvendosjes nuk po e voton Haxhiun, shkruan Reporteri.net.
“Atëherë po i bie që ka njerëz brenda Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë duke e votu znj.Haxhiu. Nuk e besoj që ka deputetë të partive tjera parlamentare që do e votonin z.Kurti pa një marrëveshje politike, e nuk do e votonin znj.Haxhiu”, ka deklaruar Bajrami.Bajrami tha se nëse Kurti i ka 61 vota dhe nuk po i përdorë, kështu e denigron figurën e Haxhiut.
“Nuk mund të thuash i kam votat për Qeveri, atëherë cili është problem. Atëherë z.Kurti nuk po i përdorë këto vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun. Atëherë a i bie që patriarkalizmi është pikërisht tek ai, sepse ai votat që i ka për ta zgjedhur Qeverinë nuk po i vë në shfrytëzim. Votat nuk harxhohen. Nëse i ke 61 vota për Qeveri, atëherë i ke edhe 61 vota për Albulena Haxhiun. Cili është shpjegimi. Pse nuk i përdorë ai këto 61 vota, nëse i ka. Nëse i ka, ai i bie që është duke denigruar figurën e znj.haxhiu, sepse po i ka numrat…”, ka thënë Bajrami në RTK.
Ajo tha se Haxhiu nuk po kontestohet pse është grua, por sepse cilësohet figurë polarizuese. Bajrami tha se partitë kanë të drejtë që kërkojnë figurë unifikuese, meqë për një periudhë kohore Kryetarit të Kuvendit ka mundësi që t’i bie ta ushtrojë detyrën e Presidentit.
“Në mars të vitit 2026, për një periudhë të caktuar kohore do ta luaj rolin e presidents. Shancat janë shumë të mëdha që kryetari i kuvendit do ta ushtrojë pozitën e presidentit. Andaj partitë duan të ketë një figurë që të mund të llogarisin se do të jetë në shërbim të qytetarëve”, shtoi ajo./Reporteri.net