12.3 C
Tetovo
E mërkurë, 18 Shtator, 2024
BallinaLajmeKurti tha se po presin QUINT’in dhe KFOR’in për hapjen e urës,...

Kurti tha se po presin QUINT’in dhe KFOR’in për hapjen e urës, Krasniqi s’tregon nëse kanë caktuar afat

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka përsëritur deklaratën e Kryeministrit Albin Kurti, lidhur me planin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, ku tha se po presin që QUINT’i të koordinohet me KFOR’in.

I pyetur nëse kanë caktuar ndonjë afat kohor për këtë, Krasniqi nuk është përgjigjur, vetëm ka thënë se s’ka asnjë arsye që ura të mbahet e mbyllur, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, nuk ka asnjë situatë tensioni apo rreziku që Policia e Kosovës nuk është në gjendje ta menaxhojë edhe nëse hapet ura.

“20 janar 2016 ka qenë data e dakorduar kur ura mbi Ibër është dashtë të hapet, si pjesë e një dakordance në Bruksel. Nga atëherë e deri tash, nuk ka asnjë arsye pse ura duhet të jetë e mbyllur.  Nëse dikush ka pas brengat e tij se qytetarët serbë atje do të rrebelohen, unë nuk besoj që ka asnjë mundësi të ndonjë tensioni apo rreziku që Policia e Kosovës nuk është në gjendje ta menaxhojë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi tha se institucionet kanë të gjitha parapërgatijet e nevojshme, derisa shtoi se janë edhe disa punë që duhet të kryhen në urë.

“Nuk ka asnjë arsye, në asnjë dimension se pse ura është e mbyllur. Ajo duhet të jetë e hapur dhe do të hapet për arsye se edhe funksioni i saj është me i lidh qytetet dhe jo për me i nda qytetet. Ne si institucione kemi ba të gjitha parapërgatitjet të nevojshme ose thënë më mirë të dakorduara edhe më herët që të bëhet një vlerësim i gjendjes së qëndrueshmërisë së urës. Një raport preliminar tashmë është bërë publik, janë bërë disa punë në urën e Ibrit dhe duhet të bëhen edhe disa të tjera për rregullimin e kësaj hapësirës”, ka thënë Krasniqi në “DPT te Fidani”.

Ai përmendi edhe takimet publike me qytetarët për këtë çështje.

“Unë si Ministër i Pushtetit Lokal, bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryetarin Atiq dhe nënkryetaren kemi mbajtur edhe takime publike me qytetarët…si konkluzion edhe i këtyre takimeve është që nuk ka asnjë arsye se pse ura mbi Ibër duhet të jetë ende e mbyllur”, ka shtuar Krasniqi.

Kryeministri Albin Kurti tha dje gjatë një vizite në Mitrovicën e Veriut se raporti i fizibilitetit që është kryer është gati dhe i njëjti rekomandon që Ura mund të hapet.

Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës është gatshme për hapje dhe se vetëm po pret QUINT-in dhe KFOR-in.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet. Jemi të gatshëm ta bëjmë hapjen dhe po e presim vetëm, QUINT-in dhe KFOR-in”, ka deklaruar Kurti.

Pas deklaratës së Kurtit, zëdhënësi i KFOR’it, Koloneli Salvatore Mascoli, është drejtuar përmes një videomesazhi lidhur me këtë çështje.

Mascoli ka thënë se qëndrimi i tyre është i qartë se çdo vendim për këtë çështje duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët, derisa ka shtuar se ndërkohë KFOR do të mbajë praninë e përhershme në urë.

“Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, KFOR-i do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, ka deklaruar Mascoli.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments