Tre avionë luftarakë rusë, MiG-31, kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë më 19 shtator, disa orë pasi Komisioni Evropian propozoi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Shumë liderë europianë dënuan këto akte të Rusisë dhe prapa me reagim nuk mbeti as kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.“Lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia është shumë shqetësues. Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Kurti në X.Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ish-kryeministre estoneze, akuzoi Moskën për një “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe tha se shkelja e fundit ruse e kufijve lindorë të NATO-s “përshkallëzon më tej tensionet në rajon”.
Estonia ka kërkuar zyrtarisht një konsultim sipas Nenit 4 të NATO-s.
Ky mekanizëm i lejon çdo vendi anëtar të paraqesë zyrtarisht një çështje për shqyrtim nga organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, për të diskutuar hapat e mëtejshëm me aleatët.
Konsultimet zhvillohen kur “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e ndonjë prej vendeve anëtare është e kërcënuar.
Ky nen nuk duhet ngatërruar me Nenin 5, gur-themelin e aleancës, i cili përcakton se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet si akt dhune ndaj të gjithë anëtarëve dhe kërkon ndihmë për vendin e prekur.
Diskutimet e nisura nga Neni 4 mund të “çojnë potencialisht në një vendim ose veprim të përbashkët”, sipas NATO-s, por rezultatet varen nga konsensusi mes vendeve anëtare.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka deklaruar se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin.
Today’s news about Russia violating Estonia’s airspace is very concerning. Kosova stands in solidarity with Estonia during this time.
— Albin Kurti (@albinkurti) September 19, 2025