Kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si dhe me të dërguarin special të Ballkanit Perëndimor, Stuart Peach, ku temë diskutimi ishte dialogu me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se para takimeve në Bruksel ka biseduar në telefon me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, lidhur me shumë çështje, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë për marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington, në muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Gjithashtu shefi qeveritar ka biseduar edhe me të dërguarin special të Ballkanit Perëndimor, Stuart Peach.
“Para diskutimeve në Bruksel unë pata një telefonatë produktive me të dërguarin special të Britanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Stuart Peach, duke theksuar nevojën për marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke dhe marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka bërë të ditur kryeministri.
Shefi qeveritar do të qëndrojë në Bruksel, ku të mërkurën do ta takojë sekretarin e NATO-s, derisa të enjten, nga ora 10:30 pritet të zhvillojë takim në ndërmjetësimin e BE-së me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.