Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nesër do të jetë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se Kurti do të jetë i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar.
Tutje bëhet e ditur se atje kreu i ekzekutivit kosovar do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Reporteri.net.
Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik.