Kryeministri Albin Kurti e prezantoi një hartë përmes së cilës shpjegoi se ku u kidnapuan tre policët e Kosovës nga Policia serbe, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se policët u kidnapuan “në thellësi të territorit të Kosovës” dhe se për këtë, KFOR-i i ka parë gjurmët.
Ai tha se në vendngjarje janë gjetur gjurmë të çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë, teksa tha se është i befasuar me heshtjen e faktorëve ndërkombëtarë për tolerancën ndaj veprimeve të Serbisë.
Tutje, Kurti tha se vazhdon të jetë i habitur me faktin që KFOR-i ende s’ka dalë zyrtarisht me deklaratë, ndonëse ka qenë në vend të ngjarjes.
Kidnapimi, rrëmbimi ka ndodhur në këtë vend që është thellë në territorin e Kosovë, 1km larg kufirt në njërën anë, që i bie të jetë veriperëndimore, 670m larg që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra. 1km, 670 metra dhe 300 metra”.
“Në të njëjtë kohë, kemi fotografitë ku shihet haptazi se këta nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se kanë shkuar atje dhe janë arrestuar atje. Bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë e jo arrestim në Serbi. S’bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të PK-së përtej kufirit të Serbisë, bile as përtej rrugës së prerë që ndodhet 1km, 670 metra dhe 300 metra”.
“Në vendin e ngjarjes, kanë qenë KFOR-i e Policia e Kosovës. Aty janë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë. Por, janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë gjetur në vendin ku po themi ne, 1 kilometër brenda territorit të Kosovës”.
“Serbia s’ka ndryshuar në qëllime, synime e apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj, por ajo çka është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim, e kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe e aftë t’i krijojë ato”.
