Kurti flet për takimet me Ramën e Begajn

0
179

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ku edhe është takuar me liderë të ndryshme të vendit atje.

Ndër takimet që i pari i qeverisë së Kosovës ka zhvilluar, ka qenë ai me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Rreth këtij takimi, Kurti ka deklaruar se, me Begajn kanë biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.

Po ashtu, ai ka theksuar se është përgëzuar nga Begaj për marrëveshjen e Ohrit.

Pos kësaj, Kurti ka falënderuar Begajn për mbështetjen e tij të palëkundur, si për shembull për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

‘‘Kënaqësi të filloj vizitën time njëditore në Shqipëri me Presidentin Bajram Begaj. Diskutuam rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit tonë shumë të ngushtë. Ai më përgëzoi për qëndrimin dhe udhëheqjen time në Ohër dhe për Marrëveshjen, ndërsa unë e falënderova për mbështetjen e tij të palëkundur, p.sh. për anëtarësimin e Kosovës në NATO’’, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Përveç Begajt, Kurti ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Edi Rama.

Në takimin me Ramën, siç ka njoftuar Kurti, ai ka biseduar për qasjen konstruktive të qeverisë së Kosovës gjatë bisedimeve në Ohër.

Kurti është shprehur edhe se, mezi pret që të lidhjet Kosovë-Shqipëri, të forcohen edhe më tej.

‘‘Vizitën time në Shqipëri e vazhdova me një drekë pune me kryeministrin Edi Rama. Diskutuam për qasjen konstruktive të qeverisë sonë gjatë bisedimeve të Ohrit dhe të gjithë procesin që çon në to, si dhe qëndrimin jo bashkëpunues të Serbisë. Mezi presim të forcojmë më tej lidhjen Kosovë-Shqipëri’’, ka deklaruar Kurti.