-0.5 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKundërshtohet deponia e re në rrugën Tetovë-Falishtë

Kundërshtohet deponia e re në rrugën Tetovë-Falishtë

Një banor që ka fermë, thotë se mendon që ta largojë fermën, sepse u krijon probleme banorëve. “Nuk shkon kështu, le ti dërgojnë ku të duan. Unë kam fermën, do t’i largoj lopët të gjitha, sepse këtu njerëzit kanë investuar dhe nuk dua të bëj dëm”, tha ai

Urim HASIPI

Tetovë, 11 korrik – Pasi që është caktuar një lokacion si pikë për shkarkim dhe ngarkim pranë rrugës Tetovë-Falishtë, banorët e kësaj lagje të re kanë protestuar dhe kanë ndaluar dërgimin e mbeturinave. Ata janë shprehur të revoltuar se pranë shtëpive të tyre sillen mbeturinat e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Kjo situatë ka filluar të krijohet gati se një javë rresht dhe banorët, të cilët krahas shtëpive kanë edhe bizneset e tyre, janë të irrituar se nuk është kërkuar asnjë pëlqim prej tyre dhe se Komuna dhe NPK-ja kanë marrë tokë me qira për të hedhur mbeturina. “Do të vazhdojmë me protesta, kemi frikë sepse jetojmë këtu, kemi fëmijë, vet e kemi ndërtuar rrugën, kemi bërë shtëpia këtu. Jemi diku 8 shtëpia por është duke u bërë si lagje se janë duke ndërtuar shtëpi ende tjera dhe kemi frikë mos sëmuren fëmijët apo infektohen”, thotë Senat Saliu, banorë në këtë lagje në dalje të Tetovës.

Ata janë të vendosur që të mos lejojnë hedhjen e mbeturinave. “E kemi bllokuar rrugën sepse shumë mbeturina hidhen tash, ne jemi me njerëz, me familje dhe duhet të largohen. Ne nuk ndalemi me protesta. Ka diku rreth një javë që hedhin. Një njeri ka dhënë një tokë me qira dhe hedhin atje. Era vjen dhe duhet të largohen, përditë do të zëmë rrugën”, tha Gentian Islami, banor.

Banorët janë shprehur se këtu nuk është bërë asnjë investim nga Komuna dhe investimi i parë që bëhet janë deponia. “Ne protestojmë për shkak të mbeturinave që i hedhin në lagjen tonë. NPK-ja ka marrë me qira një tokë dhe sjell mbeturina, kjo na pengon sepse jemi me fëmijë. Këtë rrugë vet e kemi rregulluar, rrymën vet, krejt vet e kemi bërë dhe ndihma e parë që ka ardhur nga Komuna janë mbeturinat, kjo është dhurata e parë për këtë vit”, tha Nebi Treziu, banorë në këtë lagje. Një tjetër banor që ka fermë thotë se ai mendon që ta largojë fermën sepse u krijon probleme banorëve. “Nuk shkon kështu, le ti dërgojnë ku të duan. Unë kam fermën, do i largoj lopët të gjitha, sepse këtu njerëzit kanë investuar dhe nuk dua të bëj dëm”, tha ai.

Në ndërkohë drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka, është shprehur se kjo pikë ngarkimi është e përkohshme, dhe plotëson kushtet dhe se nga kjo pikë nuk ka erë pasi mbeturinat nuk qëndrojnë më shumë se 7 orë. “Para një muaj e gjysmë ne kemi pasur stacionin shumë afër qytetit, shumë afër qendrës tregtare, dhe nuk kemi pasur erë për arsye se këto mbeturina barten, është stacion transferues, pasi mbeturinat të cilat mblidhen nga qytetarët brenda orës së mëngjesit deri ora 7 e mbrëmjes, ngarkohen dhe transportohen në dy lokacionet që janë në Drislla dhe Rusino. Prandaj, ju lutem qytetarëve që pa as një shqetësim, pasi nuk ka nevojë për shqetësim pasi erë nuk ka, kemi rregulluar rrugën për arsye që mos të ketë pluhur apo diçka tjetër, kemi roje 24 orë aty”, tha ai.  Problemi me mbeturinat në Tetovë është bërë evident gjatë këtij muaji, kur NPK-ja ka probleme me grumbullimin e të njëjtave edhe nëpër qytet. Ditë më parë, banorët e një pjese të lagjes Drenovec që jetojnë pranë varrezave ortodokse, janë revoltuar me krijimin e deponisë së egër ku janë grumbulluar sasi e madhe e mbeturinave. Ata janë shprehur se kundërmon erë e rëndë dhe paraqet rrezik për përhapje të sëmundjeve. Janë me qindra banorë që jetojnë në këtë pjesë të Tetovës të cilët shprehen se kjo gjendje nuk durohet. “Kjo deponi ka filluar që të krijohet që nga viti 2002, me arsyetimin se në këtë vend do të hidhen mbeturinat nga varrezat. Ata vendosën fillimisht shporta të vogla pranë varrezave, por më pas ata i vodhën dhe vendosën të sjellin një kontejner të madh. Tash e shihni se këtu nuk bëhet fjalë për mbeturina të varrezave por janë të qytetarëve. Më herët, të martën dhe të enjten mblidheshin mbeturinat, kurse tash kur nuk mblidhen kemi një situatë të këtillë. 90 për qind e mbeturinave hidhet nga maqedonasit, turp, i hedhin mbeturinat para varrezave. Nëse është shqiptarë do të pres ndonjë njeri që ta ndihmojë që ta hedh në kontejner, kurse këta tanët i hedhin poshtë. Jemi ankuar më herët por nuk ka asgjë”, tha një banorë i kësaj lagje. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments