Rruga që lidh Tetovën me Prizrenin pritet të hyjë në fazë konkrete realizimi. Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, deklaroi se procedurat për ndërtimin do të nisin së shpejti, ndërsa paralajmëroi edhe hapjen e tenderit për projektimin e tunelit.
“Komuna e Tetovës ka ndarë mjete konkrete në këshill, 18 milionë denarë për segmentin Shipkovicë – Bozovcës dhe është duke u punuar për segmentin i cili do të vijë para tunelit. Atë që e ka thënë edhe kryetari edhe ne, ju jeni dëshmitarë që ne e bëjmë realitet. Shumë shpejt do të bëhet tenderimi për projektimin e tunelit dhe do të nisin hapat për realizimin e tij”, tha Adnan Azizi – deputet I VLEN.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sqaroi detaje të trasës së projektit. Sipas tij, rruga e re do të nisë nga aksi Tetovë–Kodra e Diellit, në kthesën mbi Shipkovicë, dhe do të vazhdojë deri te ura në dalje të fshatit, në drejtim të rrugës për Brodec. Pjesa tjetër e itinerarit drejt Prizrenit do të bazohet në zgjerimin e rrugës ekzistuese.
“Do të jetë nga rruga Tetovë-Kodra e Diellit, kthesa mbi Shipkpovicë që është deri në dalje të Shipkovicës më konkretisht lumi që është në dalje të Shipkovicës. Ura që është aty në atë pjesën andej urës do dalë dhe pjesa tjetër e rrugës Tetovë-Prizren do të jetë pjesa e rrugës ekzistuese vetëm do të bëhet zgjerimi i rrugës. Punimet kanë filluar në terren, informatat që kemi është bërë identifikimi i trasenë dhe do të vazhdojnë punimet në terren për depërtimin e të njëjtës”, pohoi Bilall Kasami – kryetra i komunës Tetovës .
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, bëri të ditur se për këtë projekt janë ndarë rreth 2 milionë euro. Ajo e vlerësoi rrugën Tetovë–Prizren si projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në rajon.
