Trafiku në Tetovë vazhdon të jetë i dendur, ndërsa mungesa e parkingjeve mbetet problemi më i madh i qytetarëve. Kryetari i komunës, Bilall Kasami më 11 janar 2022 doli me një plan konkret.
“Plani për vitin 2022 është paraparë për zgjerimin e parkimeve zonale dhe shtimin e vend parkimeve në territorin e qytetit të Tetovës dhe plani parasheh pesë faza. Pra në total parkingje zonale do të jenë 425 të mbyllura 775 dhe parkingje në kate 1890, pra 3090 vendparkime të reja, ndërsa në total do të kemi do të ketë 3730”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Po Kasmai tani thotë se çështja e parkimeve nuk varet vetëm nga komuna.
Po sigurisht patëm një plan dhe në vazhdimësi kemi deklaruar nuk është çështje që vret vetëm nga komuna, duhet që komuna t’i ketë hapësirat në dispozicion që të bëj plan edhe për zhvillimin e tyre në këtë rast ne nuk kemi edhe ndonjë hapësirë të lirë që ne mund të ofrojmë edhe në partneritet publiko-privat për të shikuar mundësitë e komunës për të ndërtuar parkingje në kate”, shtoi Kasami.
Por Kasami në janar të 2022 premtoi 4 lokacione për parkime në kate, edhe atë tre në Tetovë dhe një në Kodrën e Diellit.
“Faza e pestë që përfshin vitin 2022 janar-dhjetor përfshinë parkingje në kate që përfshinë lokacione dy parkingje para tregut të gjelbër, njëri me 350 vende parkimi dhe tjetri me 280 vende parkimi, një në lokacionin afër gjyqit dhe një në Kodrën e Diellit me gjithsej 930 vend parkime”, sqaroi Kasami.
Por tani Kasami thotë se nuk janë katër por dy lokacion, e madje jo në lokacionet që premtoi në janar të 2022-shit. Për parcelën afër gjykatës thotë se nuk është pronë e komunës .
“Jemi në procedurë të gjetjes së lokacioneve dhe gjetjes së lokacioneve që janë paraparë për garazhe në kate. Sa e dimë një e tillë është para verës që një e tillë ka kërkesë për privatizim dhe është e bllokuar dhe ne nuk mund ta fusin në procedurë për parkim në kate dhe tjetër që ka kërkesë edhe ka parcelë është tek qendra sportive para sallës sportive që ka kërkesë për privatizim dhe ende nuk gjejmë zgjidhje ligjore që nuk varen nga komuna e Tetovës. Parcela afër gjykatës nuk i takon komunës së Tetovës, ajo ka qenë sallë sportive që ka qenë në menaxhim të Agjencisë për Rini dhe Sport, është bërë aty një shkelje e ligjit që veç objektit, kanë marrë në shfrytëzim edhe tokën”, u shpreh Kasami.
Në Tetovë shumica e pjesës së qytetit është me parkim zonal ose me pagesë, edhe pse Kasami para zgjedhjes premtoi parkim pa pagesë, pas zgjedhje e shtrenjtoi parkimin për 10 denarë në çdo zonë, duke e bërë nga 30 në 40 denarë.