Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vijoi vizitën e saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një ndalesë në Tetovë, qytetin që ajo e cilësoi si një qendër kyçe arsimore dhe kulturore në rajon.
Gjatë kësaj vizite, kryediplomatja shqiptare u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në qendër të diskutimeve mes Spiropalit dhe Kasamit ishte zhvillimi lokal dhe sfidat me të cilat përballet qyteti.
Ministrja vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm që Tetova luan sot si një pol dinamik, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por për të gjithë rajonin, duke shërbyer si një urë e fortë arsimore dhe shoqërore.
Pjesë e vizitës ishte ndalesa në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës. Aty, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të përgatitura nga nxënësit, të cilat evokuan traditën dhe kulturën kombëtare.
E prekur nga mikpritja dhe talenti i të rinjve, Spiropali përcolli edhe një mesazh patriotik.
“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët,” tha ajo.
Në një reagim të mëvonshëm mbi vizitën, Ministrja e përmblodhi atmosferën në Tetovë me fjalët: “Ku ka shqiptarë, ka atdhedashuri, patriotizëm, shpirt kuqezi!”/rtsh.al/

