Presidenti i vendit Barjam Begaj ka reaguar më në fund pas rrëmbimit të 3 policëve nga serbët në veri të Kosovës.
Reagimi i Begajt ishte kërkuar dhe në dhjetëra komente nga ana e qytetarëve, të cilët e konsideronin të papranueshëm qëndrimin e kreut të shtetit shqiptar.
Në reagimin e tij Begaj i bën thirrje autoriteteve në Serbi për lirimin e policëve, ndërsa autoriteteve në Kosovë që të ruajnë qetësinë dhe të mos bjenë pjesë e provokimeve.
“Strategjitë ‘eskalim për të deeskaluar’ duhet të marrin fund”, shkruan Begaj në postimin e tij në rrjetet sociale, të cilin e shoqëron me këtë deklaratë:
“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.
E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.
Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”.