22.7 C
Tetovo
E diel, 10 Gusht, 2025
BallinaLajmeKSHZ miratoi kalendarin për zgjedhjet lokale: Dorëzimi i listave të kandidatëve deri...

KSHZ miratoi kalendarin për zgjedhjet lokale: Dorëzimi i listave të kandidatëve deri më 13 shtator, fushata fillon më 29 shtator

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot pasdite, në mbledhjen e 128-të, miratoi afatet për të gjitha veprimet për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale 2025, pasi më herët gjatë ditës, zgjedhjet u shpallën nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Rrethi i parë i zgjedhjeve për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave do të mbahet më 2 nëntor, në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku zgjedhjet nuk përfundojnë në rrethin e parë.

Fushata zgjedhore për rrethin e parë fillon më 29 shtator në ora 00:00 dhe zgjat pandërprerë deri më 17 tetor në ora 24:00. Për rrethin e dytë, fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 31 tetor në mesnatë.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, njoftoi për detyrimet sipas afateve të përcaktuara në kalendarin zgjedhor, të cilat do të publikohen si veprime zgjedhore të veçanta.

Ai bëri të ditur se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, pra nga sot, KSHZ do të dërgojë një kërkesë me shkrim te Ministria e Punëve të Brendshme për përditësimin e Listës Zgjedhore, dhe brenda 48 orëve MPB duhet të dorëzojë të dhënat.

Nga 23 gusht deri më 11 shtator në ora 00:00, Lista Zgjedhore do të jetë në shqyrtim publik në të gjitha zyrat rajonale dhe zyrat e KSHZ-së (që do të punojnë në dy ndërrime), ku qytetarët mund të verifikojnë të dhënat e tyre. Lista Zgjedhore do të mbyllet më së voni 15 ditë pas përfundimit të shqyrtimit publik, pra më 26 shtator.

Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve është deri më 13 shtator në ora 24:00, pranë komisioneve komunale zgjedhore. Shorti për numrat rendorë në fletëvotim do të organizohet nga KSHZ më së voni deri më 25 shtator.

Më së voni deri më 16 tetor, pra tre ditë para zgjedhjeve, të gjithë dorëzuesit e listave me kandidatë të konfirmuar kanë të drejtë të paraqesin propozime për përfaqësues të autorizuar apo vëzhgues të zgjedhjeve te organet zgjedhore – te Komisionet Komunale dhe për ditën e votimit edhe te këshillat e vendvotimeve.

Kodi për zgjedhje të drejta dhe demokratike duhet të nënshkruhet më së voni deri më 27 shtator.

Të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje me lista të konfirmuara kandidatësh janë të detyruar të hapin një llogari transaksioni për zgjedhjet dhe të sigurojnë një numër të vetëm tatimor më së voni 48 orë pas konfirmimit të listave të tyre nga KQZ lokale, theksoi Kondarko.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments