7.4 C
Tetovo
E mërkurë, 2 Prill, 2025
BallinaLajmeBotaKryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

Kryqi i Kuq i indinjuar për vrasjen e tetë mjekëve në Gazë

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) tha se është “e indinjuar” nga vrasja e tetë mjekëve në detyrë, në qytetin Rafah në jug të Gazës.Ekipi prej nëntë personash u sulmua më 23 mars, tha IFRC-ja, ndërsa trupat e tyre u morën të dielën, pasi qasja në vendngjarje nuk u lejua për një javë.

Një mjek është ende i zhdukur.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) tha se trupat e stafit të saj u zbuluan së bashku me ato të gjashtë anëtarëve të Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës – të drejtuar nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – si dhe të një punonjësi të OKB-së.

Ata nuk thanë se kush hapi zjarr ndaj kolonës, por Hamasi fajësoi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për sulmin.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, IFRC-ja tha se tetë trupat e punëtorëve të PRCS-së u morën “pas shtatë ditësh heshtjeje”.Forca e Mbrojtjes e Izraelit nuk e komentoi publikisht deklaratën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se ushtria izraelite, të shtunën, ka pranuar se ka qëlluar mbi autoambulancat në jug të Gazës, të dielën e kaluar, pasi i ka identifikuar ato si “automjete të dyshimta”.

Trupat izraelite “kanë hapur zjarr ndaj automjeteve të Hamasit dhe kanë eliminuar disa terroristë të Hamasit”, tha ushtria në një deklaratë për AFP-në.

Ushtria shtoi se “pas një hetimi fillestar, është konstatuar se disa nga automjetet e dyshimta, kanë qenë ambulanca dhe kamionë zjarrfikës”.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars, pasi faza e parë e një armëpushimi që filloi në janar, përfundoi, ndërsa negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes ngecën.

Që atëherë u vranë më shumë se 900 njerëz nga sulmet e Izraelit në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi.

Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje mbi 250 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me një ofensivë masive ushtarake, duke vrarë më shumë se 50.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të udhëhequr nga Hamasi. /Rel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments