Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha sot se “Shqipëria vlerëson mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin europian të vendit tonë dhe kemi bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe për planin tonë ambicioz për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetaren e Kuvendit të Bullgarisë Nataliya Kiselova, Spiropali tha se “mbështetja e Asamblesë Kombëtare dhe personalisht e Kryetares Kiselova do të jetë një garanci më shumë për këtë qëllim”.
Spiropali u shpreh se “gjatë takimit diskutuam për miqësinë tradicionale, historike, kulturore midis vendeve dhe popujve, e cila po fuqizohet në të mirë të njerëzve tanë dhe perspektivës europiane të Shqipërisë”.
“Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa çështje të pazgjidhura mes nesh”, tha Spiropali.
Spiropali i shprehu kryetares Kiselova gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dypalësh, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave politike të nivelit të lartë.
“Ky objektiv yni shkon krah për krah me prioritetet e agjendës së Komisioneres së Zgjerimit Marta Kos, të prezantuara në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian, AFET. Ne kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë, edhe në mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Europian, si një vend anëtar. Shqipëria ka bërë thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen europiane, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Europian, nëse mbajmë parasysh pasojat dhe implikimet e luftës Rusi-Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin europian”, nënvizoi Spiropali duke shtuar se të njëjtën dëshirojmë e urojmë edhe për integrimin europian të vendeve të tjera të rajonit tonë, destinacioni i natyrshëm i të cilëve është Bashkimi Europian.
Më tej Spiropali tha se “anëtarësimi është një proces i mbështetur në meritën dhe ne mendojmë se mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të zgjidhen duke u mbështetur në vlerat europiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë është intensiv dhe po zhvillohet në nivele të larta. Këtu kam parasysh jo vetëm takimin e sotëm, por edhe vizitën e ish kryeparlamentarit Zhelyazkov në Kuvendin e Shqipërisë në shkurt 2024 dhe takimet në nivele të tjera”.
Spiropali dhe Kiselova shprehën vullnetin e përbashkët për të intensifikuar e zgjeruar bashkëpunimin parlamentar, nëpërmjet grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve.
“Shqipëria dhe Bullgaria kanë bashkëpunuar dhe do të vijojnë të bashkëpunojnë si anëtare aktive të NATO-s, në shërbim të paqes e sigurisë në rajon, Europë e më gjerë. Të dy vendet tona ndërveprojnë aktivisht në nismat rajonale si Iniciativa për Europën Qendrore, Procesi i Bashkëpunimit i Europës Juglindore, Presidencën e të cilit Shqipëria e mban prej qershorit 2024, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi, Procesi i Berlinit etj. Ne vlerësojmë lart përpjekjet e Bullgarisë për fuqizimin e nismave rajonale dhe rritjen e ndikimit të tyre në perspektivën europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Spiropali.
Kryeparlamentarja Spiropali tha se “Bullgaria është një partner ekonomik i Shqipërisë, por mendoj se ka ende potenciale për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike e tregtare. Plani i Përbashkët i Veprimit për Turizmin, nënshkruar në tetor 2024, mund të pasohet nga aspekte të tjera bashkëpunimi, si Korridori 8, një projekt me rëndësi strategjike për të dyja vendet, projekte të tjera të infrastrukturës, energjisë, konektivitetit, zhvillimit të qëndrueshëm etj., të cilat janë jo vetëm investime ekonomike, por edhe kontribute për paqen e sigurinë. Të dy vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin luftën e drejtë dhe sigurinë e Ukrainës, si pjesë e një kuadri më të gjerë të mbrojtjes europiane dhe përtej kontinentit”.
“Ndamë të njëjtat vlerësime se komuniteti shqiptar në Bullgari dhe komuniteti bullgar në Shqipëri kanë mbështetjen e parlamenteve, qeverive dhe institucioneve, për ruajtjen e gjuhës e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e prosperitetin, si asete me vlerë dhe ura miqësie mes dy vendeve”, përfundoi Spiropali.