Performanca e këngëtarit serb Aca Lukas në Kavadarci është ndërprerë për shkak të shkeljeve serioze të sigurisë, angazhimit të paparaqitur dhe thyerjes së rregullave të punës së lokalit, konfirmoi kryetari i komunës së Kavadarcit, Mitko Jançev.Incidenti ka ndodhur mbrëmë, pak pas mesnatës, kur policia së bashku me inspektorë nga disa institucione hynë në objektin hotelier ku po performonte Lukas. Menjëherë pas kontrollit, këngëtari është shoqëruar në stacion policor.“Nuk do të lejojmë skenar si në Koçani. Siguria është e para!” – deklaroi Jançev.
Ai sqaroi se organizatorët më parë kishin paraqitur kërkesë në Komunën e Kavadarcit për vendosje të pajisjeve urbane dhe zgjerim të hapësirës për koncert, por kërkesa ishte refuzuar për arsye sigurie.
– U kërkua leje nga Komuna e Kavadarcit për vendosjen e pajisjeve për performancën e Aca Lukas. Komisioni konstatoi se nuk ka kushte për këtë për arsye sigurie. Më 14 nëntor kërkesa u refuzua, dhe pronari u informua me shkrim dhe gojarisht – tha Jançev.
Ai shtoi se lokali ka kapacitet prej 200 personash, ndërsa brenda u gjetën madje 700 persona.
– Nuk duhet të lejojmë të përsëritet tragjedia si ajo në Koçani. Lokale të mbingarkuara me mysafirë, pa respektim të masave të sigurisë, në Kavadarci nuk do të tolerohen – shtoi ai.
Jançev theksoi edhe se angazhimi i vetë këngëtarit nuk ishte paraqitur as në Agjencinë e Punësimit, as në Ministrinë e Punës, gjë që përbën shkelje shtesë.
Lukas performonte pa leje: Gjobë dhe kallëzim për kundërvajtje
Ministria e Brendshme konfirmoi ndërhyrjen. Kontrolli është kryer nga policia e Kavadarcit, inspektorët e të huajve, inspektorati tregtar, inspektorati i punës dhe Administrata e të Ardhurave Publike.
Performanca u ndërpre menjëherë dhe Lukas u shoqërua në polici rreth dhjetë minuta pas mesnatës.
