Kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, ka bërë një thirrje të hapur për bizneset nga Maqedonia e Veriut, e veçanërisht për ato nga Tetova, që të investojnë në Ferizaj — një qytet që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe që tashmë po shndërrohet në një qendër moderne urbane.“Nëse dikur Ferizaji njihej si një qytet i vogël, sot është një metropol në zhvillim. Nga një katund, është kthyer në një qytet të pasur dhe dinamik,” u shpreh Aliu për portalin TS.
Procedura të thjeshtuara për ndërtim dhe investime.
Aliu theksoi se Ferizaji ofron kushte shumë më të lehta për ndërtim krahasuar me shumicën e komunave në rajon. Sipas tij, çdo biznesmen që ka dokumentacionin e rregullt, e merr lejen e ndërtimit për vetëm 15 ditë, pa vonesa dhe pa pengesa burokratike.
“Nëse një ndërtues i ka të gjitha dokumentet në rregull, lejen e ndërtimit e merr brenda dy javësh. Procedurat janë të thjeshta, të shpejta dhe pa telashe,” deklaroi ai.
Korrupsioni? “Zero në Ferizaj”
Ndryshe nga realiteti që përmendet shpesh nëpër komuna të tjera, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, ku korrupsioni shpesh është pengesë për investitorët, Agim Aliu garanton një qeverisje transparente dhe të ndershme.
Sipas tij, Korrupsioni në komunën e Ferizajit është zero. Ferizaji ka ndërtuar një administratë funksionale që respekton ligjin dhe i shërben qytetarit.
Ferizaji, qyteti i dytë për nga zhvillimi pas Prishtinës
Kryetari vuri në pah faktin se Ferizaji, pas kryeqytetit Prishtinë, është komuna me më së shumti zhvillim dhe ndërtime të reja në Kosovë. Lagje të tëra po gjallërohen, infrastrukturat po përmirësohen, ndërsa investimet në urbanizëm, arsim, sport dhe ekonomi janë të dukshme në çdo cep të qytetit.