Në pjesën e takimit të përbashkët, Gashi dhe deputetët shoqërues kanë theksuar se Suedia është një përkrahëse e sinqertë dhe shumë e respektuar e Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me mbretin e Suedisë, transmeton Anadolu.
Siç thuhet në një njoftim të lëshuar nga Kuvendi, Gashi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, i shoqëruar nga deputetët Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, kanë pasur audiencë me mbretin e Suedisë, Karli i Gjashtëmbëdhjetë Gustav.
Në pjesën e takimit të përbashkët, Gashi dhe deputetët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për pritjen dhe takimin e mundësuar me mbretin dhe kanë theksuar se Suedia është një përkrahëse e sinqertë dhe shumë e respektuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se marrëdhëniet e ndërsjella karakterizohen nga një shkallë e lartë miqësie, mirëkuptimi dhe mbështetjeje e ndërsjellë.
Pas takimit të përbashkët dhe dorëzimit të një dhurate, mbreti dhe Gashi kanë realizuar takim gjysmë ore kokë më kokë.