Qeveria e Greqisë ka njoftuar se paga minimale do të rritet nga 830 euro në 880 euro, me synimin që deri në fund të mandatit të tij katërvjeçar, paga minimale të arrijë në 950 euro.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, theksoi se rënia e papunësisë është rezultat i politikave për krijimin e vendeve të reja të punës.Po ashtu, është rritur edhe asistenca sociale për ata që janë të papunë, e cila tani do të arrijë 540 euro. Paga për punonjësit e martuar, me tre vjet përvojë pune, do të jetë 1258.4 euro, ndërsa punëtorët e pakualifikuar do të fitojnë 39.4 euro në ditë. Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 prill.
Kjo përbën rritjen e pestë të pagës minimale që nga viti 2019, dhe rritja totale gjatë këtyre gjashtë viteve është 35.4%. Kjo rritje do t’u mundësojë punëtorëve një rritje të ndjeshme, që është afërsisht e barabartë me pesë paga minimale shtesë në vitin 2019. Nga rritja përfitojnë gjithashtu emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi në mënyrë të rregullt.