E pashë letrën e profesorëve të universitetit dhe i kontaktova dhe i njoftova se rritja e pagave është paraparë në buxhetin e shtatorit. Është e vërtetë që duhet të rriten pagat në të gjithë sektorin e arsimit dhe nëse e shikoni buxhetin në atë pjesë do të shihni se shuma në raport me pagat në arsimin e lartë po rritet nga viti në vit”, tha Kovaçevski duke iu përgjigjur një pyetje gazetare gjatë festës së sotme të 65 vjetorit të vënies në punë të hidrocentralit të Vrutokut.
Kovaçevski njoftoi se Qeveria po fillon projektin për revitalizimin e hidrocentraleve të mëdha në pronësi të AD ESM. Ky projekt i madh do të përfshijë hidrocentralet Vrutok, Vrben, Raven, Tikvesh, Spilje, Globoçicë, Kozjak dhe hidrocentralin Sveta Petka.
Kapaciteti i instaluar i këtyre hidrocentraleve është rreth 85% e kapacitetit total të instaluar në hidrocentralet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ato marrin pjesë me një prodhim mesatar prej 1280 gigavat orë, përkatësisht sigurojnë 20% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Përveç në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, këto hidrocentrale zënë një vend të rëndësishëm në menaxhimin dhe stabilitetin e të gjithë sistemit elektroenergjetik. “Përveç renovimit të pjesës makinerike të këtyre objekteve, përfitim shtesë i projektit është rritja e kapacitetit të rezervuarit të Mavrovës, i cili do të sigurojë rritje të prodhimit vjetor të energjisë elektrike prej rreth 40 gigavat orë”, tha Kovaçevski.
Koha totale për zbatimin e projektit pritet të jetë nga viti 2022 deri në vitin 2026. Mjetet për realizimin e këtij projekti kapital në vlerë prej rreth 29 milionë euro do të sigurohen nga grante dhe kredi të favorshme, si dhe nga mjetet vetanake të ESM-së.