Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se vendimi i sotëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të gjobitur Hungarinë në shumën prej 200 milionë euro dhe një milionë euro shtesë në ditë për shkak të politikës së migracionit është i padëgjuar dhe i papranueshëm.
merrni lajme ne viber
Në një postim në platformën X, Orbán pretendon se Hungaria po dënohet për, siç tha ai, mbrojtjen e kufijve të BE-së.
“Emigrantët e paligjshëm duket se janë më të rëndësishëm për burokratët e Brukselit sesa qytetarët evropianë”, tha Orbán.
Hungaria do të duhet të paguajë një gjobë prej 200 milionë eurosh për shkak të moszbatimit të ndryshimeve në politikën për trajtimin e emigrantëve dhe azilkërkuesve, njoftoi sot gjykata më e lartë e BE-së, Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Gjykata deklaroi se Hungaria, e cila më parë refuzoi të zbatojë vendimin e gjykatës nga viti 2020, do të duhet gjithashtu të paguajë një gjobë prej 1 milion euro në ditë derisa të zbatojë plotësisht masat e përcaktuara, raportoi Reuters.
Gjykata e Drejtësisë e BE-së tregon se Hungaria nuk ka marrë masa për të respektuar vendimin e vitit 2020 në lidhje me të drejtat e aplikantëve për mbrojtje ndërkombëtare për të qëndruar në Hungari në pritje të një vendimi përfundimtar mbi ankesën e tyre kundër refuzimit të kërkesës së tyre, si dhe dëbimi i shtetasve të vendeve të treta, të cilët banojnë ilegalisht në atë vend.
Qeveria hungareze argumentoi më parë se vendimi i vitit 2020 ishte i diskutueshëm sepse kishte mbyllur tashmë të ashtuquajturat zona tranziti dhe kishte shtrënguar rregullat që ndalonin kërkesat e ardhshme për azil.
Komisioni Evropian (KE) paraqiti një ankesë të dytë kundër Hungarisë në gjykatën e BE-së në fillim të vitit 2022, duke pretenduar se Hungaria nuk kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për të respektuar vendimin e vitit 2020.