7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKreshnik Bekteshi: Shfuqizimi i “balancuesit” mund të rritë tensionet, reagojnë nga VMRO-DPMNE

Kreshnik Bekteshi: Shfuqizimi i “balancuesit” mund të rritë tensionet, reagojnë nga VMRO-DPMNE

Ish-ministri i Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se është e mundur rritja e tensioneve ndëretnike në vend pas shfuqizimit së balancuesit për punësimet me çelës etnik. Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, thonë se BDI-ja nga pozita e pushtetit pranuan shfuqizimin e balancuesit.

Bekteshi komentoi se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili e hoqi balancuesin, sepse, siç tha ai, “ishte propozim i ish-presidentit Gjorge Ivanov dhe në kohën e tij është emëruar gjyqtar në Kushtetuesen sepse edhe presidenti ka mundësi për të propozuar gjyqtarë”.

Bekteshi tregoi se nuk pajtohet që balancuesi është keqpërdorur në disa institucione, por mendon se është dashur të përmirësohet si mekanizëm.

“Por kjo nuk u pranua si propozim dhe tani me heqjen e balancuesit, çdo menaxhment i një institucioni lejohet të vendosë në mënyrë të pavarur pa marrë parasysh Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe frymën e saj”, thotë Bekteshi në intervistë.

Në pyetjen nëse BDI-ja do ta përkrahë Ligjin për përfaqësim të drejtë si zëvendësim për balancuesin, Bekteshi tha se nëse propozimi i ri është i mirë për të gjitha bashkësitë etnike, përfshirë edhe atë maqedonase, sigurisht që BDI do ta mbështesë.

“Por ne duhet të kemi një draft të asaj zgjidhje ligjore, edhe pse ai ligj duhet të ketë edhe ndonjë mekanizëm që do të jetë i barabartë që të mund të përfaqësohen të gjitha bashkësitë etnike”, shton ai.

Për çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, për të cilin Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur prej më shumë se pesë vitesh dhe besohet se do të jetë në rend dite në dhjetor, Bekteshi tregon se është tentativë për defokusim.

“Ne si BDI jemi kundër shfuqizimit të atyre dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e në këtë rast të gjuhës shqipe. Dhe pse? Për faktin se ato zgjidhje juridike rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, tha Bekteshi.

Në lidhje me atë se a janë të mundshme protestat e organizuara nga BDI, ai tha se partia “aktualisht ka takime në të gjitha degët dhe tashmë ka hapur debat se si duhet të veprojë BDI-ja dhe të gjitha idetë dhe propozimet”.

Ai beson se “kjo qeveri bën çdo ditë aq skandale sa çdo ditë duhet të mbahet një protestë nga qytetarët”.

I pyetur se a do të jetë kjo tentativa për destabilizimin e paralajmëruar nga kryeministri Mickoski, Bekteshi thotë se Mickoski që në ditën e parë të postit kryeministër ka thënë se BDI po organizon një destabilizim të mundshëm.

“Mendoj se lëvizjet e Mickoskit dhe koalicionit VLEN çojnë në destabilizim dhe ata vetë duan të destabilizojnë”, thotë Bekteshi, ai shtoi se BDI-ja ka thënë qartë se vendi ynë nuk ka nevojë për destabilizim, por për dialog.

Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Ata thanë se derisa BDI-ja ishte pjesë e qeverisë, pranuan të shfuqizojnë balancuesin, tani kërkojnë vetëm arsye për destabilizimin.

“BDI si qeveri në vitin 2023 ka marrë pjesë në hartimin e Strategjisë së Reformës së Administratës 2023 – 2030 në të cilën vërehet se balancuesi ka keqpërdorime të shumta dhe duhet shfuqizuar.BDI-ja pranoi heqjen e balancuesit. BDI-ja po kërkon vetëm arsye për destabilizimin sepse frikësohet se do të përballen me përgjegjësi zyrtarët e tyre që e vodhën shtetin për 20 vjet”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments